Gripi i derrit, "luftë" me pesë raste të reja
Virusi AH1N1 e ka ulur fluksin e shpërhapjes në vend, edhe pse mostrat e marra nuk janë të shumta ndër të prekurit e formave të lehta. Pas konfirmimit të rastit të gjashtë me AH1N1, një vdekje e dyfishtë e vajzës shtatzënë dhe fëmijës së saj, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar dje se në vendin tonë janë edhe pesë raste të tjera të rënda, në gjendje stacionare. Dy prej tyre po trajtohen në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndroqi" dhe tre të tjerë po mbahen nën kontroll në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", në shërbimin e infektivit. "Kemi një ulje të fluksit të të prekurve nga gripi i derrit, deri dje Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar plot 330 raste të prekura nga gripi i derrit AH1N1", sqaroi drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, gjendja është nën kontroll, pavarësisht se po të merreshin mostra të tjera, në rastet e formave të lehta të gripit numri i të prekurve do të ishte 4-5 fish më i lartë.
Rastet
Pesë rastet e pacientëve, të cilët ndodhen aktualisht në trajtim të specializuar, kanë shfaqur probleme dhe komplikacione për shkak të gripit të derrit. Analizat e tyre janë konfirmuar pranë Laboratorit të Virologjisë në ISHP, ndërkohë që gjendja e tyre është stacionare, e rëndë dhe e pandryshuar.
Reparti i reanimacionit në shërbimin e infektivit në QSUT, rikonstruktuar kohët e fundit, si dhe reparti special që pret dhe përcjell rastet e rënda me AH1N1, është i pajisur me medikamente, aparatura dhe gjithçka të nevojshme për të përballuar situatën e gripit dhe në mënyrë të veçantë për rastet me komplikacione.
Specialistët e shëndetit publik aktualisht po ekzaminojnë me përparësi rastet e rënda, me komplikacione, si dhe rastet e vdekjeve të rastësishme apo pacientët me kartelë specifike.
Situata
Viktima e pestë e gripit të derrit është shënuar dy ditë më parë. Ajo ishte një vajzë 18-vjeçare e cila humbi jetën për shkak të komplikacioneve nga gripi i derrit, virusi AH1N1.
Vajza ndodhej prej më shumë se pesë ditësh në shërbimin e infektivit në gjendje të pandryshueshme dhe të rëndë për ditë me radhë. Sipas mjekëve, në kartelën e mjekimit thuhej se vajza kishte shfaqur probleme të anemisë, ndërkohë që virusi i gripit të derrit kishte prekur mushkëritë e saja, duke përkeqësuar më tej gjendje e rëndë shëndetësore. Nëna e re bashkë me foshnjën e saj në bark çojnë në gjashtë numrin e viktimave të gripit të derrit brenda territorit të Shqipërisë.
Gripi i derrit në vendin tonë u zbulua në korrik të këtij viti. Pacienti i parë i konfirmuar ishte një student nga qyteti i Gjirokastrës.
Ndërkohë, sipas të dhënave, Tirana është qyteti me më shumë të prekur, pas saj vjen Durrësi, Shkodra e Vlora. Më shumë se çdokush tjetër ata që duhet të kenë kujdes për të mos u prekur nga gripi i zakonshëm por edhe virusi AH1N1, janë pacientët kronikë, gratë shtatzëna, të moshuarit e fëmijët.