Patos, përplasjet në këshill shkojnë në gjykatë
Përplasjet në Këshillin Bashkiak të Patosit kanë mbërritur në gjykatë, ndërkaq prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka vendosur dje ta cilësojë të ligjshme zgjedhjen e kryetarit të porsazgjedhur të mazhorancës së djathtë, Leonard Behaj. Prefekti i ka dërguar dje një letër Këshillit Bashkiak Patos, si dhe kryetarit të bashkisë Bardhi Meli, ku shprehej se vendimet e Këshillit Bashkiak të Patosit, që u morën në mbledhjen e radhës (mbledhje që u zhvillua në ambientet e një hoteli në Fier, pa pjesëmarrjen e së majtës) janë në përputhje me ligjin si në aspektin procedural, ashtu edhe në përmbajtje. Megjithëse këto vendime janë të pavulosura, sipas prefektit nuk cenon vlefshmërinë e vendimit. E ndërsa vula, e cila është e njëjtë si për bashkinë, ashtu dhe për këshillin bashkiak, ndodhet akoma në duart e ish-kryetarit të këshillit bashkiak, Maksim Goga. Dje prefekti Hasaj ka nxjerrë një vendim ku thuhet se duhet të formohet një vulë e re prej këshillit të ri dhe një kopje e saj duhet të depozitohet në prefekturë. Tashmë Bashkia e Patosit do të ketë dy vula. Pas vendimit të prefektit kanë nisur deklaratat e ndërsjella mes dy krerëve të Këshillit Bashkiak të Patosit, të cilit të dy pretendojnë ligjshmëri. Ish-kryetari i këshillit bashkiak, Maksim Goga, është shprehur për gazetën se ky këshill është antiligjor dhe për këtë i është drejtuar gjykatës, ku ka depozituar padi. Ndërsa lidhur me vendimin e marrë nga prefekti, ai është shprehur: "Vendimi nuk më ka rënë në dorë dhe askush nuk më ka dorëzuar një kopje të tij. Gjithsesi, ne nuk do ta njohim këtë këshill". Ndërsa kryetari i porsazgjedhur, Leonard Behaj, është shprehur: "Tashmë unë jam kryetar, pasi kjo është dokumentuar nga institucioni i prefekturës, i cili ka deklaruar se ky këshill është në përputhje të plotë me ligjin. Në këtë mënyrë më është dhënë e drejta, pasi unë jam zgjedhur nga 19 anëtarë të këtij këshilli, të cilët 18 prej tyre ranë dakord me shkarkimin e ish-kryetarit Maksim Goga".
Këshilli Bashkiak i Patosit ka më shumë se dy muaj që nuk është mbledhur. Shkak ka qenë mocioni i mosbesimit për kryetarin e Këshillit Bashkiak Patos, Maksim Goga, nga ana e këshilltarëve të djathë, të cilëve u është bashkuar edhe grupi i këshilltarëve që përfaqësojnë LSI-në. Duke krijuar një mazhorancë të djathtë në katër mbledhjet e fundit, si në ato të muajit tetori dhe nëntor, kanë tentuar që qysh në fillim të rendit të ditës të merrej në shqyrtim kërkesa për mocion votëbesimi ndaj kryetarit Maksim Goga. Por, kryetari i këshillit bashkiak ka kërkuar që për këtë problem të merreshin më vonë, pasi sipas tij ka probleme më të mëdha se shkarkimi i tij, siç ishte ai i aprovimit të fondeve të punëtorëve të gjelbërimit. Në këto kushte, këshilltarët e djathtë kanë zhvilluar një mbledhje në një nga hollet e një hoteli në Fier, ku dhe kanë shkarkuar kryetarin aktual, duke vendosur që drejtuesi i ardhshëm i këtij këshilli të jetë Leonard Behaj. Ish-kryetari i këshillit bashkiak, Maksim Goga, është shprehur se nuk e njihte këtë këshill, pasi është i paligjshëm.