Nis ndertimi i rrugeve paralel dhe sistemimi i Lanes

Me një investim prej 2.3 miliardë lekësh, akorduar nga qeveria shqiptare ka nisur puna për sistemimin e Lanës dhe ndërtimin e rrugëve paralele të saj, që është pjesë e lotit të tretë të Unazës së jashtme të Tiranës dhe që fillon nga kthesa e Saukut, deri tek Bregu i Lumit. Vlera e investimit është 2.3 miliardë lekë dhe afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj. Kryebashkiaku Lulzim Basha e ka cilësuar këtë investim shumë të rëndësishëm, si për çlirimin e trafikut në kryeqytet, ashtu edhe për përmirësimin e jetës së banorëve që jetojnë përgjatë këtij segmenti.
“Fillimi i këtij investimi madhor është për qytetin e Tiranës një lajm dyfish i mirëpritur. Pikë së pari, sepse me përfundimin e këtij investimi merr fund kalvari i jashtëzakonshëm i banorëve përreth pjesës së pasistemuar të Lanës. Kjo pjesë e lumit i nënshtrohet të njëjtit sistemim dhe parametrave më modernë të rehabilitimit, njësoj si pjesa në qendër shtrohet me rrugë anësore në të dyja anët dhe lidhet me pjesën e Unazës së Madhe që qarkon jugun e qytetit tonë. Së dyti, vlera infrastrukturore e këtij investimi do të mundësojë çlirimin e mëtejshëm të trafikut në qytet, përshkimin në një kohë shumë më të shkurtër nga një cep i qytetit në tjetrin, pra më pak trafik, më pak kohë e humbur, më pak para të humbura, më pak nerva të shkatërruara për qytetarët e Tiranës” – u shpreh Basha.
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar të gjithë qytetarët që preken nga ndërtimi i kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore, se do të kompensohen për çdo centimetër prone që do u preket. Zoti Basha tha se do të kompensohen edhe ata pronarë, të cilëve iu prishën shtëpitë nga ish – kryebashkiaku, pa u dhënë asnjë zgjidhje, ndonëse ishin në proces legalizimi.
“Këtu ku ndodhemi, para pak vitesh u shembën disa banesa me leje, në truallin e tyre dhe sot e kësaj dite, banorëve të cilëve iu shembën këto banesa nga Bashkia e Tiranës, nga ish-kryetari, akoma nuk u është dhënë asnjë zgjidhje. Ky ka qenë qëndrimi, në raport me pronarët e ligjshëm dhe të legalizuar dhe ky ka qenë qëndrimi edhe me ata që ishin në proces legalizimi. Jam sot për t’i garantuar ata pronarë që ishin viktima dhe jo përfitues të investimit, por po kështu për të garantuar të gjithë pronarët që preken nga investimi i mëtejshëm, se Bashkia e Tiranës në këtë drejtim të ri do t’i shpërblejë ata për çdo centimetër katror dhe nuk do t’i lërë të humbasin asnjë vlerë të krijuar në këto vite, nëpërmjet investimit të tyre. I kam pritur në zyrën time, i kam garantuar personalisht dhe sot dua t’i garantoj këtu faqe gjithë komunitetit, se ata si gjithë komuniteti do të jenë përfitues të këtij investimi”- theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.