E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja e Delijorgjit “ha kokën” e ministrit Alibeaj në KLD

KLD-ja rrëzon poshtë ankesën e ministrit të Drejtësisë për tejkalim kompetencash

Eljona Ballhysa

Çështja “Delijorgji” ka shkaktuar debate në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ka nxjerrë në pah përplasjen midis ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Anëtarët e KLD-së, pas debatesh të shumta, kanë rrëzuar me votë kërkesën e ministrit Alibeaj për verifikimin e rregullsisë së ushtrimit të mandatit të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, për të hetuar mbi procedurat e ndjekura nga tre anëtarë të Apelit Ushtarak, të cilët e kanë nxjerrë të pafajshëm Delijorgjin.
Kërkesa
Ministri Alibeaj ka kërkuar përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës së zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por anëtarët e KLD-së kanë arsyetuar se Kreshnik Spahiu, me verifikimin e punës së tre gjyqtarëve, nuk e ka shkelur detyrën. Po kështu ata kanë argumentuar se kërkesa e Alibeajt nuk qëndron për shkak dhe të mungesës së bazës ligjore mbi verifikimin e ushtrimit të detyrës nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve. Kështu, KLD-ja e ka cilësuar korrekte procedurën e ndjekur nga Spahiu për inspektimin e ushtruar nga gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji”. “Procedura inspektuese ndaj gjyqtarëve ushtarakë të çështjes ‘Delijorgji’ ka rezultuar të jetë në rregullsi të ecurisë së saj, por raportimi në media dhe perifrazimet publicistike nëpër artikuj kanë transmetuar mesazhe shqetësuese dhe idenë e konfrontimit mes pushteteve”, - bëhet e ditur në njoftimin për shtyp. Gjatë fjalës së tij të mbajtur në mbledhjen e djeshme të KLD-së, ministri i Drejtësisë Alibeaj ka pretenduar se zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka tejkaluar kompetencat dhe ka paragjykuar çështjen e një procedimi të mundshëm të tre gjyqtarëve ushtarakë që e kanë deklaruar të pafajshëm Mihal Delijorgjin. Në përgjigje të pretendimeve të tilla, zëvendëskryetari Spahiu ka argumentuar se inspektimi i ndërmarrë prej tij ka qenë brenda tagrave dhe limiteve të lejuara nga vetë pozicioni i posaçëm brenda strukturës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Përplasja
Me nismën e Kreshnik Spahiut, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kërkoi ministrit të Drejtësisë fillimin e një procedimi disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak, konkretisht, Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naun Pejo. Shkaku për inicimin e një procedimi sipas konkluzioneve të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë lidhet me vlerësimin që do t’u bëhen shkeljeve të konstatuara gjatë kontrollit nga ky Inspektorat në dosjen gjyqësore të të pandehurit Mihal Delijorgji. Nga inspektimi i kryer mbi këtë procedim penal, nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është konkluduar mbi shkelje të mundshme të ligjit procedural penal të kryer nga gjyqtarët e trupit gjykues, Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naun Pejo. Pikërisht ndërmarrja e nismës për kontrollin e tre gjyqtarëve është cilësuar tejkalim kompetencash nga ministri Alibeaj.

Miratohen ndryshimet në Rregullore, dekretet e Presidentit kalojnë në filtër

Kuvendi miratoi gjatë seancës së djeshme ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. 101 deputetë të pozitës dhe opozitës votuan pro ndryshimeve në Rregullore, ndërkohë që kundër tyre votuan 7 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe gjatë seancës së djeshme deputetët e LSI-së, Braho dhe Xhufi, kundërshtuan ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe bashkëpunimin midis PS-së dhe PD-së. Gjatë një javë diskutimesh në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, PS-ja dhe PD-ja vendosën që në Rregulloren e Kuvendit të parashikohet organizimi i seancave dëgjimore për kandidatët e dekretuar nga Presidenti i Republikës si për Gjykatën e Lartë, ashtu dhe për Gjykatën Kushtetuese. Po kështu u vendos se në rastet kur vërehet nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve se një kandidat nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në ligj, atëherë kompetencat i kalojnë kryetares së Kuvendit, e cila më pas kontakton kryetarin e institucionin që ka bërë propozimin. Në një rast të tillë Kuvendi nuk vepron nëse nuk merr përgjigje institucioni që ka bërë propozimin për anëtarin e një institucioni kushtetues apo të pavarur. Në ndryshimet e propozuara për Rregulloren e Kuvendit parashikohet një afat 30-ditor nga skadimi i mandatit për postin respektiv, që Kuvendi të miratojë ose jo kandidaturën. Po kështu, në ndryshimet e miratuara në Rregulloren e Kuvendit parashikohet dhe ngritja e një komisioni të përhershëm parlamentar, i cili do të merret me ndryshimet kushtetuese sa herë që lind nevoja e tyre, ose kur ka propozime për ndryshime.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›