Bamir Topi, nga paçja në presidencë te paçja në parti
I mësuar të kalërojë me parazitizëm e matrapazllëk mejhanesh institucionin e presidentit, mbrëmë ish-presidenti shpalli se do ndjekë të njëjtën mendësi zhvatjeje edhe tek partia e tij e re. Duke akuzuar demokratët se e bënë president me zor e se për këtë bënë marrëveshje me agrarët e me mbështetësit e Nanos pa e pyetur, ai u demaskua si një jo-president 5-vjeçar e që me parazitizmin e paçes, do synojë të përfitojë përmes shpresës se Edi Rama do t’ia dalë në 2013-n
Bamir Topi i bëri një skaner pesë viteve të fundit të Presidencës së tij. Në morinë e pyetjeve, por për më tepër në morinë e përgjigjeve të Bamir Topit, në fund të rrëfimit të tij, u mësua dhe u kuptua se pesë vitet e funti, më saktë të Presidencës kanë qenë për atë të paçta (me prejardhje nga paçe).
E thënë ndryshe, përjashto pakënaqësitë e tij, por për më tepër mosmirënjohjen, Bamir Topi në këto pesë vite ka qenë personi më i paditur, që do të thotë se nuk ka ditur e nuk ka kuptuara asgjë, se çfarë është thënë e çfarë është.
Dhe kjo është më se e mjaftueshme, që edhe ai vetë “ti qajë” këto pesë vite, për “paçet” që shijoi.
Në respekt të kronologjisë së pesë viteve të fundit të presidencës së Bamir Topit, sipas vetë rrëfimit të tij të mbrëmshëm, u mësua se ai nuk dinte gjë për Gërdecin si qendër demontimi, nuk dinte gjë edhe për rrëzimin e kandidaturave të tij për institucionet kushtetuese, nuk dinte gjë as për 21 janarin, nuk dinte gjë as për reformën politike e gjyqësore, nuk dinte gjë as për performancën e gjyqësorit (dukshëm, ai nuk është se ka lënë ndonjë gjurmë për përmirësimin e kësaj performance), nuk dinte gjë për ndryshimet kushtetuese të bërë me marrëveshjen e PD-së e PS-së, nuk dinte gjë as për përgjimet që ushtari i vendrojës së Ministrisë së Mbrojtjes, i bënte atij, Edi Ramës, ambasadorëve, sikurse nuk dinte gjë ..., as për ..., as për..., etj..., etj...
Për atë që dinë të tjerët për atë, të paktën në pesë vitet e fundit të presidencës së tij, Bamir Topi ishte shumë i besueshëm dje me “naivitetin” e tij, por gjithsesi, paçet e konsumuara prej tij, kanë qenë “nyjet lidhëse” kur ka qenë puna për “të mbaruar punët e qokat e tij”, jo vetëm politike, të tipit të rastit të votimit për Edi Ramën në zgjedhjet lokale të vitit që shkoi, ashtu edhe të tipit personale, në nivelin e qejfbërjes me dekoratat e shpërndara sa “andej e këndej”...
Padituria e Bamir Topit, e pleksur me qetësinë dhe sa më shumë paçe, si kontratë që kishte bërë me veten për pesë vitet në Presidencë, nuk ishin ndonjë “risi”.
Duke zgjedhur të bëjë të paditurin, për ti siguruar vetes qetësi e sa më shumë paçe për veten, sipas rrëfimit të tij të djeshëm u mësua se ai “nuk dinte asgjë”, as kur ishte në strukturat drejtuese të PD-së (para zgjedhjes si president).
Mes sinqeritetit të tepruar ai e pohoi vetë këtë mbrëmë, kur “qahej e ankohej” pse ai nuk e dinte që Lufter Xhuveli në vitin 2005, së bashku me partinë e drejtuar prej tij, do të bëhej pjesë e koalicionit qeverisës. Me çfarë u kuptua dje, ai ende nuk e kishte mësuar, të paktën as në vitin 2007 aleancën me Lufter Xhuvelin, edhe pse vota e tij, ishte kontribuuese për zgjedhjen e Presidentit Bamir Topi. Më e forta ishte kur vetë Bamir Topi, po mbrëmë pohoi, se ai nuk e dinte në vitin 2007, as që do të zgjidhej President. Këtë e kishte mësuar më vonë, duket pas kontributit të Fatos Nanos e disa mbështetësve ët tij, për të cilët nuk e kurseu mirënjohjen, ndërsa këtë mirënjohje, nuk ia njohu (se nuk e dinte me sa duket), Lufter Xhuvelit.
Me gjithë këto “përvojë” të Bamir Topi për “padijen e tij” si mjet për tu gjendur mes paçeve, ai dukej shumë premtues mbrëmë, për vazhdimësinë në padijen dhe paçet e tij. Kur të gjithë prisnin që ai mbrëmë të deklaronte rreshtimin te FRD-ja, ai lëshoi çudinë e radhës, kur tha se as këtë nuk e dinte, në se do bëhej pjesë e këtij formacioni politik...
... Apo..., apo e lëshoi me kast këtë deklaratë...?!
Ta ketë nxjerrë veten në bursë Bamir Topi..., për ndonjë çmim më të lartë padije dhe për sa më shumë paçe...?!