Sequi: S’ka pushime – për integrimin duhet hequr imuniteti
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, me porosi të kryeministrit Fyle, i tërheq vëmendjen asaj pjese të klasës politike që po kërkon shkuarjen me pushime dhe shtyrjen e votimit të ligjit për heqjen e imunitetit. Duke bërë thirrje për miratimin në kohë të nismës, ambasadori deklaroi se ai ishte një prioritet kyç që do shqyrtohej nga 27 vendet anëtare të BE-së
Apeli: Ka përparime për 12 rekomandimet, s’duhet shtyrje për imunitetet
Kasnecët e Ramës në parlament: Kemi marrë urdhër, s’votojmë dot më 6 gusht
Shembulli i Sllovakisë: Deputetët votojnë thuajse unanimisht për heqjen e imunitetit
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi e vlerësoi si të jashtëzakonshme punën e bërë deri tani për zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të shkuar, dhe nxiti palët që të vijojnë më tej dialogun për të mbyllur çështjet e tjera në pak kohë që ka mbetur deri në progres-raportin e tetorit. Në një analizë të asaj çfarë është arritur deri tani nga Shqipëria në 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, Sequi përgëzoi palët për arritjet në përmbushjen e kriterit politik. Apeli për imunitetin e kreut të delegacionit të BE ishte i qartë: “Jo pushim, por integrim”. “Koha është burim i kufizuar prandaj koha duhet të shfrytëzohet. Fakti që është emëruar Avokati i Popullit, që janë miratuar disa ligje me 3/5, kodi zgjedhor dhe duke gjykuar se ku ishim para nëntorit e dimë se kemi ecur përpara. Por, duam të shikojmë përfundimin e reformës parlamentare. Miratimi i ligjeve për gjykatën administrative është një hap pozitiv, megjithatë janë edhe 3 ligje të tjera thelbësore. Ligji për Gjykatën e Lartë ende i pamiratuar, sistemi i imuniteteve të zyrtarëve dhe gjyqtarëve duhet ndryshuar për Shqipërinë. Ne besojmë se votimi për sistemin e imunitetit do jetë hap kritik dhe i rëndësishëm. Përgëzojmë palët që kanë gjetur konsensusin për imunitetit. BE i jep rëndësi çështjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit. Heqja e imunitetit është masë e rëndësishme në këtë luftë dhe donim reflektim të këtyre çështjeve. Ky nuk do ishte fundi i procesit pasi duhet të bëhen hapa të mëtejshëm mbi këtë çështje”- u shpreh Sequi.
Në mënyrë të përmbledhur dhe pasi përsëriti disa herë fjalët “dialog”, “konsensus” apo “përpjekje për të bindur vendet anëtare” se forcat politike në Shqipëri po ia dalin, jo vetëm të miratojnë, por dhe të implementojnë marrëveshjet mes tyre, Sequi gjithashtu u bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës ta vendosin që tani si do të zgjedhin ta shohin veten në sy në tetor, pasi vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së të jetë marrë. “Është tepër e rëndësishme që mazhoranca e opozita të vazhdojnë bashkëpunimin për këto çështje të rëndësishme. Mazhoranca dhe opozita kanë mundësinë të bashkëpunojnë, të kenë një dialog konstruktiv. Kemi përparim në fushën e pronës dhe të drejtësisë, por pavarësisht kësaj duhet të vazhdohet që të punohet ende. Ne do donim reflektim për çështjen e heqjes së imunitetit. Përdorni kohën e mbetur në mënyrën më të mirë. Statusi mund të arrihet, por për këtë duhet që të luftohet dhe fjala magjike është konsensus”, deklaroi ai. Njëkohësisht ambasadori i BE-së vlerësoi progresin në respektimin e të drejtave, por nga ana tjetër ai kërkoi që ky progres të shihet dhe në respektimin e të drejtave për romët dhe përfaqësuesit e LGBT-së.