Ban: Forcat e Gadafit të ndalin dhunën!

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, tha se OKB do të bëjë çdo gjë, për një tranzicion të rregullt në Libi.
“Jam i përkushtuar për të siguruar se Kombet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë të mundshme për të promovuar një tranzicion të rregullt, që u përgjigjet aspiratave të popullit të Libisë për paqe, demokraci dhe mundësi”, tha sot Ban Ki-mun, në një konferencë për gazetarë në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Ai më tej ka theksuar se i mirëpret sigurimet që i janë dhënë nga kryesuesi i Këshillit Tranzicional Kombëtar, Mutafa Xhalil, se do të tregohet kujdes i jashtëzakonshëm, për t`i mbrojtur njerëzit dhe institucionet publike, sikurse të sigurohet rendi dhe ligji.
Ban Ki-mun u bëri thirrje forcave të kolonel Gadafit “që menjëherë të ndalin dhunën dhe të mundësojnë një tranzicion të qetë”.