E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban Ki Moon: OKB mbështet Shqipërinë, vendi i saj në BE

UASHINGTON- Organizata e Kombeve të Bashkuara mbështet fuqishëm Shqipërinë dhe beson se shteti shqiptar do të integrohet shpejt në Bashkimin Europian.
Kështu u shpreh gjatë takimit të sotëm Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-Moon gjatë një takimi të vecantë që pati me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Kreu i shtetit shqiptar ndodhet në SHBA në kuadër të pjesëmarrjes në Debatin e Nivelit të Lartë me temë: “Gjendja e Ekonomisë Botërore”.

Sekretari i Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, duke shprehur kënaqësinë e bisedës me Kryetarin e Shtetit shqiptar dhe duke vlerësuar si të një rëndësie të veçantë këtë takim, vuri në dukje rolin konstruktiv e institucional të Presidentit Topi në arritjet e deritanishme dhe progresin intensiv të Shqipërisë, duke nënvizuar se “janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara në zhvillimin ekonomik e social të vendit, sidomos në kuadrin e ndërtimit e konsolidimit të institucioneve shtetërore”.

Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon e siguroi Presidentin Topi për mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të OKB-së në të gjitha proceset e zhvillimit demokratik të Shqipërisë, duke shprehur bindjen se me vendosmërinë dhe vullnetin e duhur, shqiptarët do të arrijnë qëllimin e tyre madhor kombëtar: integrimin në Bashkimin Evropian.

Sic bën të ditur zyra e shtapit të presidentit shqiptar në këtë takim zyrtar, zoti Ban Ki-Moon nënvizoi se Shqipëria po kryen një proces të rëndësishëm e intensiv lobimi, çka do të ndikojë në marrjen sa më shumë të mbështetjeve dhe shkëmbimeve reciproke me vende të ndryshme anëtare të OKB-së, dhe për të cilat “shteti shqiptar do të dijë të shohë e vlerësojë si një mundësi dhe shans sugjerimet e partnerëve evropianë e ndërkombëtarë, duke realizuar reformat e nevojshme dhe duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social për qytetarët e tij”.

Gjatë takimit zyrtar, Presidenti Topi theksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj nismave të tjera dhe hapave të mëtejshëm që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të ndërmarrë gjatë ushtrimit të detyrës së tij të lartë në krye të Organizatës.

Duke përshëndetur nismën për zhvillimin e Debatit të Nivelit të Lartë mbi krizën financiare botërore, Presidenti Topi vuri në dukje faktin se pasojat e saj ndihen jo vetëm në vendet e zhvilluara, por më shumë në vendet në zhvillim, të cilat prej kohësh po përpiqen për realizimin e Objektivave të Mijëvjeçarit.
“Shqipëria natyrshëm pret që në një botë gjithnjë e më të globalizuar dhe të ndër-varur, debati mbi krizën financiare të dalë me disa mesazhe të qarta për G-20, G-8”, - nënvizoi Kryetari i Shtetit në takim.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi mbështetjen e forumit më të madh ndërkombëtar, OKB-së, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që “tashmë po shohin përpara dhe po punojnë me dëshirën e vullnetin e duhur për integrim në Bashkimin Evropian, duke iu bashkuar vlerave të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut”.

Në këtë drejtim, Presidenti Topi falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për rolin mjaft konstruktiv dhe qëndrimin realist në lidhje me Kosovën, duke mbështetur parimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje, njëkohësisht si parim thelbësor i Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se aktualisht “Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi mbi çështjet teknike, të cilat duhet të zhvillohen mbi bazën e parimit të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve sovrane”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›