E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon, i kënaqur nga prania e Obamës në Samitin e Kopenhagenit

Ban Ki Moon, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, është shprehur mjaft i kënaqur nga njoftimi i presidentit amerikan, Barack Obama, për pjesëmarrjen e tij në samitin e 9 dhjetorit në Kopenhagen.
"Sa më shume në nivel të lartë të jetë pjesëmarrja në samitin e Kopenhagenit aq më të mëdha do të jenë mundësitë që ky samit të kthehet në një sukses për vendimet në lidhje me klimën,"- thuhet në një deklarate të dhënë nga zëdhënësi i Ki Moon, Farhan Haq.
Para deklaratës së Obamës për të ardhur në samitin e klimës, Ban Ki Moon ishte shprehur jo shumë optimist për arritjen e ndonjë marrëveshje të rëndësishme për çështjen problematike të klimës.
Samitit i Kopenhagenit pritet të diskutoje planet për parandalimin e ndryshimeve klimaterike duke reduktuar efektin serë. Ende nuk dihet niveli i përfaqësimit të shteteve të tjera më të industrializuara të globit pasi as Rusia, Kina, Gjermania apo Anglia nuk janë prononcuar për këtë çështje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›