Ban Ki-Moon nis sot turneun ballkanik

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun me vizitën e sotme në Slloveni nis një turne disa-ditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë të cilit do të vizitojë të gjitha ish republikat jugosllave si dhe Republikën e Kosovës.
Në Slloveni ai takon kryeministrin Janez Jansha, presidentin Danillo Turk dhe kryetarin e Kuvendit Gregor Virant.
Më pas do të udhëtojë në Kroaci, ku gjatë qëndrimit tre-ditor në Zagreb dhe Brion zhvillon bisedime me krerët shtetërorë.
Pastaj, do te udhëtoje në Mal të Zi për t’u takuar me presidentin Filip Vujanovic dhe liderët tjerë malazezë.
Për të hënën është planifikuar vizita në Serbi, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin e ri nacionalist, Tomisllav Nikollic, mandatarin për qeverinë e re, Ivica Daçic dhe shefin në largim të diplomacisë, Vuk Jeremic. Më 24 korrik, Ban viziton Kosovën, ku përveç takimeve me përfaqësues të UNMIK-ut, do të zhvilloje bisedime me liderët e institucioneve kosovare. Ban më pas viziton Maqedoninë, ndërsa turneun e përmbyll me qëndrimin në Bosnje.