E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun: 300 miliardë dollarë për vendet në zhvillim

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të paktën 300 miliardë dollarë nga paketa prej 1.1 trilionë dollarësh të sapomiratuar nga liderët e grupit G20 si ndihmë për të nxjerrë ekonominë globale nga kriza, duhet të derdhen në arkat e shteteve në zhvillim. Ban Ki Mun vërejti gjithashtu se shtetet e G20 duhet t‘i kthejnë zotimet e ndërmarra gjatë samitit të para pak ditëve në "veprime konkrete", duke shtuar se paketa stimuluese mbi të cilën u ra dakord nga liderët e vendeve do të mundësonte daljen nga kriza ekonomike vetëm në rast se aplikohej në mënyrë energjike. "Besoj se të paktën 300 miliardë dollarë duhet të kenë destinacion ndihmën e shteteve në zhvillim, që janë edhe më të prekurit nga kriza dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme", u shpreh Ban Ki Mun në një intervistë me gazetarin e rrjetit BBC, Endrju Marr.

Lideri i OKB-së pa me vend të hidhte poshtë gjatë intervistës akuzat sipas të cilave Italia - pjesëtare e grupimit G8 (të shteteve më të industrializuara), ku në verën e këtij viti do të mbahet edhe mbledhja e tij e radhës - nuk i është përmbajtur zotimit për ndihmë ndaj vendeve të varfra, të cilin e bëri para katër vjetësh gjatë samitit të këtij grupi. Para një jave, këngëtari i njohur Bob Geldof, aktiv në fushatat për ndihmë ndaj vendeve të varfra, tha se Italia nuk duhet ta mbante më presidencën e këtij grupimi, duke qenë se nuk i është përmbajtur gjatë këtyre viteve premtimeve të saj.

Ban Ki Mun sqaroi se kishte pasur një takim dypalësh konstruktiv me Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, gjatë ditëve kur në Londër zhvillonte punimet Samiti i G20-ës. Megjithatë pyetjes nëse mendonte se Italia do t‘i përmbahej premtimeve dhe do derdhte më shumë para në formën e ndihmave për vendet e varfra, iu përgjigj: "Shpresoj që po".

Ai shtoi se liderët botërorë duhet të jenë të vetëdijshëm që, nëse kriza ekonomike nuk menaxhohet ashtu siç duhet, gjendja mund të përshkallëzohet, duke shkaktuar paqëndrueshmëri politike. "Këto zotime të bëra nga liderët e vendeve të grupimit G20 duhet të përkthehen në veprime konkrete. Ky është zotimi që kemi bërë", tha, për të shtuar se "me këtë paketë stimuluese, një paketë e paprecedentë ndihme në historinë e botës, kam besim të fortë se do të jemi në gjendje të lëmë pas krizën globale".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›