Bashkimet dhe ndarjet, historiku i aleancave të PS-së
Bashkimi i partive politike të majta ka rezultuar i suksesshëm në garat zgjedhore të deritanishme. Vetëm viti 2005, kur ajo shkoi në zgjedhje pa bërë një koalicion, ishte fatal për të. E majta humbi zgjedhjet duke rikthyer demokratët pas tetë vitesh opozitë në pushtet. Në zgjedhjet e qershorit të vitit 1997, PS, e drejtuar nga Fatos Nano, në aleancë me PSD-në, PBDNJ-në, PAA-në e PAD-në fitoi bindshëm, rezultat që u përsërit dhe në zgjedhjet e 2001. Gjatë tetë vitesh qeverisjeje, edhe pse me ulje-ngritjet që pësuan marrëdhëniet e PS me aleatët, ajo arriti të qeveriste pa rrezikuar asnjëherë pozicionin e saj. Largimi i një grupimi nga PS-ja solli krijimin e LSI-së dhe në zgjedhjet e një viti më vonë, çdo parti e majtë bëri një fushatë elektorale më vete, pa përcaktuar asnjë lloj objektivi pas tyre. Në vitin 2005, zgjedhjet u fituan nga demokratët, por në mungesë të votave të duhura për të pasur një shumicë absolute, e djathta hyri në negociata me dy parti që më parë ishin pjesë e qeverisjes së majtë. Mungesa e nënshkrimit të një marrëveshjeje të PS-së me të gjithë aleatët e saj qeverisës, bëri që PAA dhe PBDNJ, duke mos pasur asnjë detyrim, të hynin në qeverinë e djathtë. Me humbjen e zgjedhjeve, Fatos Nano dha dorëheqjen, duke i hapur rrugë një lideri tjetër, Edi Ramës. Duke parë rezultatin e vitit 2005 dhe duke qenë se shumë shpejt do të niste përballja për zgjedhjet lokale, kreu i ri i selisë rozë nisi përpjekjet për të krijuar një koalicion të ri. Pas shumë muajsh negociata, në pranverën e vitit 2006, u nënshkrua nga pesë kryetarë të partive të majta, pakti i koalicionit "Bashkë për të ardhmen". Ai rikonfirmoi fitoren e së majtës në bashkitë e mëdha të vendit dhe një fitore të thellë në Tiranë. Një vit pas këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli largimin nga koalicioni. LSI akuzoi PS-në se nuk kishte zbatuar marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2006. Në këtë pikë, të dyja partitë u pozicionuan kundër njëra-tjetrës.