Ban: Strategjia për veriun të zbatohet me kujdes
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka shfaqur shqetësimin e tij për politikën e re të Prishtinës ndaj veriut të Kosovës - dhe i ka bërë thirrje Qeverisë kosovare, që të zbatojë në mënyrë të kujdesshme strategjinë e re për këtë pjesë të territorit të vendit të banuar me shumicë serbe.
"Jam i brengosur për mundësinë e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës nëse pushteti në Prishtinë nuk e zbaton strategjinë e tij në mënyrë transparente dhe përmes dialogut me bashkësitë lokale dhe palët të tjera relevante", thuhet në raportin e Ban Ki-moonit për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, raporton agjencia spanjolle EFE nga selia e OKB-së.
Ban ka kërkuar nga të gjitha palët t'i miratojnë "masat praktike" për afrimin e bashkësisë shqiptare dhe asaj serbe në Kosovë. "Stabiliteti afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës varen nga suksesi i procesit të pajtimit në mes të bashkësive", thuhet në këtë dokument.
Ban po ashtu ka theksuar se UNMIK-u nuk ka qenë i përfshirë në strategjinë për veriun e Kosovës, ndërsa situatën në Kosovë e ka përshkruar si relativisht të qetë, por të brishtë.
Sipas raportit të shefit të OKB-së, UNMIK-u po vazhdon ta kryejë rolin tij në Kosovë, si ndërmjetësues mes palëve, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet për problemet praktike, pa e prekur çështjen e statusit.