E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shuplaka” e Europës ndaj emigrantëve

Politikanët e rrymës kryesore në të gjithë Europën Perëndimore do të përballen me shqiptimin e disa termave aspak komodë. Partitë radikale kundër emigracionit po fitojnë terren në të gjithë kontinentin. Provat e fundit ishin në zgjedhjet rajonale të javës së kaluar në Itali, ku ksenofobja Liga e Veriut fitoi 13 për qind të votave.

Në Francë, Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme gjithashtu doli mirë në zgjedhjet e fundit, duke siguruar 20 për qind të votave në disa zona të vendit. Partia Nacionale Britanike mund të arrijë rezultate të mira në zgjedhjet e përgjithshme në Britani muajin e ardhshëm. Temat kundër emigracionit gjithashtu do të luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e qershorit në Holandë. Instinktet e politikanëve të rrymës kryesore janë të drejtuara nga denoncimi i racizmit dhe argumentimi se ndalimi i emigracionit nuk është praktik apo i dëshirueshëm. Instinktet e tyre kanë rëndësi deri në këtë pikë, por janë të rrezikshme nëse shkojnë edhe më larg.

Racizmi nuk mund të tolerohet dhe duhet të refuzohet hapur. Por, votuesit e zakonshëm kanë gjithashtu shqetësime të ligjshme lidhur me emigracionin në masë. Në Britani, për shembull, dyndja e emigracionit nga pjesa tjetër e Europës ka nxitur reagim të madh nga publiku. Dyndje në shërbimet publike, lista e pritjes për vizitat mjekësore dhe vendet në shkollë janë zgjatur. Shqetësimet kulturore të nxitura nga emigracioni nga bota myslimane kërkojnë një përgjigje gjithashtu. Javën e kaluar një komision parlamentar në Belgjikë votoi kundër mbajtjes së shamisë myslimane në vendet publike.

Në Zvicër, një referendum ndaloi me ligj ndërtimin e minareve të reja. Ata që mendojnë se këto masa janë shumë ekstreme, nuk mundet thjesht t’i dënojnë ato. Ata duhet të sugjerojnë se çfarë do të bënin për t’iu përgjigjur ankthit të publikut ndaj ekstremit të djathtë. Kur vjen puna për parashikimin e shërbimeve publike, qeveria duhet të nxitojë të sigurojë kapacitete shtesë për të huajt. Por, në të njëjtën kohë, zyrtarët duhet të jenë të hapur për mënyrën e shpërndarjes së këtyre të mirave publike.

Theksi i fortë që vendoset te asimilimi i kulturave është i justifikuar. Kjo përfshin këmbënguljen që emigrantët e rinj të mësojnë gjuhën në vendet ku qëndrojnë dhe të përqafojnë vlerat e shëndosha perëndimore, si të drejtat e grave, fëmijëve dhe homoseksualëve. Kjo do të nxisë forcat liberale. Por, injorimi i paralajmërimeve të dërguara nga ekstremi i djathtë do të jetë më i rrezikshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›