Banda e Cërrikut, dëshmon Agron Kuliçaj

Ish gardisti në vitin 1997 dhe aktualisht zv/Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, dëshmon në gjyqin e bandës së Cërrikut i cili po zhvillohet në Gjykatën për Krimet e Rënda. Për 35 minuta Kuliçaj ka treguar të gjithë ngjarjen e masakrës së Cërrikut ku janë vrarë gjashtë gardistë. Në dëshminë para togave të zeza Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit në policinë e shtetit ka pohuar se janë qëlluar nga disa persona sapo kanë hyrë në qyteti e Cërrikut me autoblinda dhe se ai vet ndodhej në autoblinden e dytë. Pasi janë qëlluar Kuliçaj ka treguar ne seancën gjyqësore se është plagosur dhe e kanë dërguar më pas në spitalin ushtarak të Tiranës. Nuk ka treguar se kush i ka qëlluar pasi nuk i kishte parë, por kur ka qenë në spital i kanë treguar se ka qenë Met Brozi si dhe grupi i tij i cili kishte qëlluar mbi autoblindat e gardistëve. Madje në spital kishte mësuar edhe për vrasjen e kolegëve të tij.
Ndërkohë gjyqi ndaj bandës së Cërrikut ka në cilësinë e të pandehurëve shtetasit Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota, Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ata akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 6 punonjës të Gardës së Republikes si dhe u plagosën 9 punonjës të Policisë së Shtetit.