E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut gati për luftë nëse sulmohet


Lideri koreano verior Kim Jong-il ka urdhëruar ushtrinë e tij që të jetë e gatshme për luftë, nëse do të sulmohen. Lajmi është konfirmuar nga agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap, e cila citon burime nga Koreja e Veriut. Tensioni ndërmjet dy Koreve, ka shënuar kështu një përshkallëzim të papritur pas sanksioneve të ndërmarra nga Seuli kundër Penianit, që akuzohet për fundosjen e një anijeje ushtarake të Koresë së Jugut dhe që provokoi edhe vdekjen e 46 personave, marinarë të luftanijes. Tensionet u shtuan pas përfundimit të hetimeve për mbytjen e anijes në mars të këtij viti, dhe për të cilën u deklaruar se është qëlluar me silurë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se pret nga Këshilli i Sigurimit të marrë masa kundër Koresë së Veriut. Provat se Penjani është përgjegjës për sulmin janë "thellësisht shqetësuese" tha Ban. Një situatë e tillë përvijoi reagimin e Koresë së Jugut, e cila si përgjigje ndaj agresionit kundrejt anijes së saj, ka pezulluar pothuajse të gjitha lidhjet tregtare me Korenë e Veriut. Presidenti koreanojugor, Lee Myung-Bak konfirmoi se tregtia ndërkufitare do të pezullohet, ujërat e vendit të tij do të jenë të mbyllura për të gjitha anijet e Koresë së Veriut dhe se çështjen e fundosjes së luftanijes do ta çojë në këshillin e sigurimit të OKB-së. Nga ana tjetër, Koreja e Veriut ka mohuar se kishte të bënte me incidentin, në të cilin vdiqën 46 marinarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›