Basha falënderon lazaratasit për bashkëpunimin me Policinë, mbi bimët narkotike
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, falënderoi sot komunitetin e fshatit Lazarat, Gjirokastër për bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë e Shtetit gjatë javëve të fundit për kontrollin e të gjithë territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë fjalës së tij, ministri tha se ka një bashkëpunim të shkëlqyer midis Policisë së Shtetit, autoriteteve vendore këtu dhe ç’është më e rëndësishmja me banorët e Lazaratit. “Ne arritëm në këtë periudhë të kontrollonim në mënyrën më bindëse dhe më transparente para partnerëve tanë kultivimin e bimëve narkotike, dhe nga Lazarati t’u çojmë një mesazh shumë të forte, se këtu gjërat mund, po dhe do të ndryshojnë, se emri i Lazaratit me të cilin është abuzuar shumë duhet të fillojë të përdoret për ato të mira që sot ky fshat dhe kjo komunë po i shpalosin shoqërisë”, deklaroi Basha. Gjatë takimit që zhvilloi me banorët e fshatit Lazarat, ku lufta për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike pas fazës së parë të ndërgjegjësimit, tashmë po vijon me sukses në fazën e kontrollit dhe evidentimit të këtij fenomeni në të gjithë territorin, ai vlerësoi bashkëpunimin me komunitetin e Lazaratit si inkurajim për Policinë e Shtetit, duke theksuar se “kjo merr një rëndësi të jashtëzakonshme në prag të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë”. Në takimin e zhvilluar në Lazarat së bashku me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, ishin të pranishëm edhe deputeti i Qarkut Gjirokastër Genc Ruli, përfaqësues të misionit PAMECA dhe përfaqësues të organeve të qeverisjes vendore.