Floriri i sekuestruar, me vlerë mbi 1 milion euro
Tiranë- Vlera e floririt të sekuestruar në mesditë në kryeqytet është mbi 1 milion euro. Ndërsa shufrat e florinjta që u gjenden mes sasisë prej 2 kuintal ar, i bllokuar nga policia, dyshohet se janë grabitur nga thesari i shtetit në vitin 1997.
Sipas burimeve të policisë, në pranga përfunduan shtetasit, Astrit Lamçe, 45-vjeç dhe Genci Lamçe, 38-vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Operacioni i koduar ‘Ora e florinjtë’ u finalizua nga sektori kundër krimit ekonomik në policinë e Tiranës”- thanë burimet policore. Sipas tyre, punishtja ndodhej në banesën e dy vëllezërve të arrestuar, në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë.
Në sajë të një hetimi intesiv 3 mujor me metodat speciale të hetimit, duke bashkëpunuar me Taks Forcën, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Rreth 2 kv flori;
2 copë Shufra Floriri me peshë 1- kg secila; shuma e parave prej 210 mijë euro;
1 milion e 500 000 lekë; shuma e parave prej 500 $ si dhe shumë amballazhe dhe etiketa të firmave të njohura.
“U arrit të dokumentohet tërësisht, se aktiviteti i tyre kriminal e kondrabandë, shtrihej në kryeqytetet, përmes banesës së tyre, e cila shërbente për punishte të kondrabandës së floririt”- tha zëdhënësja e policisë gjatë një konference për shtyp.
Sipas saj, shufrat e florinjta (2 - copë) të sekuestruara, dyshohet se mund të janë vjedhur thesarit të shtetit, përgjatë vitit 1997- të.