E Diel, 1 Nëntor 2026

OBSH-ja ende pa një përgjigje për 27-vjeçaren Kosovare



Vdekja e 27-vjeçares nga Kosova, e dyshuar si e prekur me virusin e gripit të derrit, nuk është zbardhur ende nga OBSH-ja. Në ditët e ardhshme, pritet që specialistët e OBSH-së të japin rezultatet përfundimtare të analizave. Dy analizat e para të kryera nga ISHP-ja e Kosovës kanë rezultuar negative, pasi gruaja vuante nga pneumonia, ndërkaq nuk përjashtohen mundësitë që e dyshuara të ketë qenë e sëmurë edhe nga Leucemia. “Pacientja ka pasur shenja të problemit respirator dhe ka manifestuar shenja të çrregullimit të ritmit të zemrës”, - deklaroi Shemsedin Dreshaj, Drejtor i Qendrës Infektive. Ekipet mjekësore epidemiologjike kanë vizituar edhe familjen e të dyshuarës, ku aktualisht po kryhen analizat paraprake. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka marrë të gjitha masat e sigurisë, ndërkaq punonjësit shëndetësorë janë pajisur me maska dhe mjete të tjera mbrojtëse.
Gruaja 27 vjeçare, ishte nënë e dy fëmijëve nga komuna e Vitisë, e cila pasi kishte ardhur nga Zvicra një javë më parë, i është nënshtruar kontrolleve mjekësore, të cilat kanë çuar deri në dyshimet e para. Ndërkohë që motra e saj ka ndërruar jetë kohë më parë, pasi vuante nga Leucemia. Ndërkohë që harta e të prekurve nga virusi i gripit në Europë dhe SHBA vazhdon të shtohet me raste të reja. Në Suedi është shënuar i dyshuari i parë me virusin A, ndërsa në SHBA bëhet fjalë për dy raste të reja. Virusi A, duket se po merr përhapje të gjerë në botë dhe veçanërisht në Europë, ku deri më tani ka marrë jetën e së paku 30 personave në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se numri i përgjithshëm i të sëmurëve në Botë nga virusi H1N1 apo siç quhet ndryshe gripi i derrave, ka shkuar në 1490. OBSH-ja bëri ët ditur dje se 30 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje, dhe se të gjitha rastet, përveç njërit, janë regjistruar në Meksikë. Përfaqësuesi i OBSH-së, Keiji Fukuda theksoi se shumica e rasteve të reja të të infektuarve janë nga Meksika. Ndërsa, shkencëtarët në Kanada, duket se i janë afruar zbulimit të vaksinës që do të mundësonte parandalimin e përhapjes së virusit. Ministria e Shëndetësisë në bazë të ligjit për sëmundjet infektive, rekomandon që në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare, çdo inspektor sanitar apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë çdo mbërritjeje të udhëtarëve dhe te vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit. Inspektorët duhet të udhëzojnë që personat që vijnë nga vendet e prekura në rast se kanë shenja repsiratore të mos dalin nga shtëpia por të kontaktojnë menjëherë mjekun përkatës. Ndërkohë që drejtoritë e shëndetit publik të marrin masa dhe të sigurojnë inspektimin sanitar në kufi. Specialistët e shëndetësisë në pikat kufitare duhet të sigurojnë mjetet e mbrojtjes personale si maska, doreza, dezinfektantë etj.

Përurohet rruga "Brezaret" në Kamëz

Banorëve të Kamzës, u shtohet një rrugë e re e rikonstrukturuar. Bashkia e Kamzës ka përuruar një rrugë të re “Brezaret” në Lagjen Frutikulturë. Rruga “Brezaret” ka një gjatësi prej afro 600 metrash dhe vlerë mbi 6 milionë lekëve. Njoftohet se është kryer faza e parë e punimeve, e cila i paraprin fazës së dytë, kompletimit me të gjithë elementët e infrastrukturës të kësaj rruge në një kohë të afërt. I gjithë investimi është financuar nga të ardhurat e Bashkisë dhe u krye duke tejkaluar parashikimet dhe afatet kohore. Sipas autoriteteve të Bashkisë së Kamzës, për realizimin e kësaj rruge u desh të bëhej lirimi i hapësirave të nevojshme për të bërë të mundur fillimin e investimit, dhe për këtë arsye u prishën dhe u s’postuan rreth 50 objekte të ndryshme, shtylla dhe kabina ajrore elektrike, që pengonin realizimin e projektit.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›