E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajisja me karta identiteti, romët dhe egjiptianët nuk kanë emra në gjendje civile



Emanuela Sako

Kryetarët e njësive bashkiake kanë shprehur shqetësimin për problemet me aplikimin e personave të paregjistruar. Në kategorinë e të paregjistruarve përfshihen një pjesë e madhe e qytetarëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian. Kështu, kryetarët e njësive bashkiake të kryeqytetit shprehen se qytetarë të komunitetit rom dhe egjiptian drejtohen pranë zyrave për të aplikuar për letërnjoftimet elektronike, ndërkohë që nuk janë të regjistruar. Sipas Kryetarit të Njësisë Bashkiake nr.7, Pandi Sara, shumë qytetarë rom, paraqiten në zyrat përkatëse për të kërkuar kartën e identitetit, duke harruar se emri i tyre nuk figuron i regjistruar në asnjë listë. Problem të ngjashëm ka edhe në Njësinë Bashkiake nr. 9, pa përjashtuar edhe 9 njësitë e tjera në kryeqytet. Kryetari i kësaj njësie, Armond Halebi, sqaroi se dyndjet e qytetarëve rom që bëhen nga një qytet në tjetrin krijojnë shumë probleme dhe paqartësi te emrat e tyre të regjistruar, dhe për këtë arsye shumë nga këta qytetarë nuk marrin dot kartat e identitetit.
Fluksi
Njësitë Bashkiake bëjnë të ditur se ditët e fundit ka një shtim të qytetarëve që kërkojnë të aplikojnë. Sipas tyre, kjo shpjegohet me faktin se qeveria ka dhënë vendimin se komuniteti rom dhe egjiptian do të përfitojnë letërnjoftimet falas. Kjo bën që ata të drejtohen më shumë të zyrat përkatëse për të aplikuar për kartat. Ndërkohë që, Posta Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë vendosur krijimin e lehtësirave të tjera për qytetarët që nuk kanë pasaportë. Shtetasit që nuk kanë emrat në listat e zyrave postare të marra nga Ministria e Brendshme nuk do të iu duhen dy certifikata, njëra për marrjen e kuponit bashkëngjitur me deklarimin që do të bëjnë në zyrat postare dhe tjetra për aplikim. Qytetarët që kanë humbur pasaportën dhe nuk e kanë deklaruar atë në kërkim të marrjes së kuponit veç formularit të vetdeklarimit në sportelet e Postës do ti bashkëngjisë jo certifikatën me fotografi që është marrë në Gjendjen Civile të njësive të qeverisjes vendore por fotokopjen e saj. Ndërsa me certifikatën origjinale ata do paraqiten në qendrat e aplikimit pranë minibashkive, bashkive dhe komunave për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik.
Rregullat
Kështu, qytetarët duhet të paraqiten në zyrat postare duke pasur me vete certifikatën origjinale dhe fotokopjen e saj në mënyrë që të bëhet njehsimi me origjinalin nga ana e punonjësve të postës. Deri më tani, përsa i përket shtetasve pa pasaportë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë, janë 3 mijë qytetarë që kanë marrë kuponët. Nga këta, 1 mijë kanë plotësuar formularin e vetdeklarimit pasi emri i tyre nuk ishte në listat e Ministrisë së Brendshme dhe 2 mijë kanë blerë kuponin sipas listave të dërguara nga kjo Ministri.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›