E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, zvarritet gjyqi 4 muaj, akuza: Të njoftohet Topi

TIRANE Procesi gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit te Krimet e Rënda rreshtohet sërish në radhën e gjyqeve të zvarritura për muaj me radhë. Sipas Gjykatës, ky proces është bllokuar që nga 23 marsi i këtij viti, për shkak të mosparaqitjes së avokatëve, çka bën të pamundur zhvillimin e seancave. Për të disatën herë radhazi, Gjykata për Krimet e Rënda nuk arriti dje të zhvillojë normalisht seancën e radhës. Moszhvillimi i seancës shkaktoi debate të forta mes përfaqësuesve të Mbrojtjes dhe Prokurorisë. Përfaqësuesit e organit të akuzës i kërkuan gjykatës njoftimin e institucioneve të larta shtetërore, përfshi atë të Presidentit të Republikës, për situatën e krijuar. Arsyeja e shtyrjes ishte mbetja pa mbrojtje e dy prej të pandehurve në proces, për shkak të mungesës së avokatëve të tyre mbrojtës. Seanca gjyqësore u shty për shkak të mosparaqitjes së avokatit Riza Icka dhe Dashnor Mullaj, që mbrojnë të pandehurin që gjykohet në mungese, Plaurent Dervishaj. Gjithashtu, avokati Vangjel Muzina nuk ishte prezent në seancën gjyqësore. Me anë të një deklarate të depozituar pranë sekretarisë së Gjykatës, pohonte se nuk mund të paraqitej në seancë për arsye familjare. I pandehuri Selman Heti, që mbrohet nga avokati Vangjel Muzina, kërkoi që të mos vazhdonte seanca gjyqësore pa praninë e mbrojtjes se tij, njoftoi dje zyrtarisht pas përfundimit të seancës zëdhënësja për shtyp e Krimeve të Rënda, Lavdie Hysaj. Pamundësia për vijimin e seancës shkaktoi dje acarim mes palëve. Prokurori Anton Martini i kërkoi trupit gjykues që në lidhje me sjelljen e avokatëve të vihen në dijeni Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës. Në përfundim, Gjykata vendosi të vërë në dijeni për situatën e krijuar Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe KLD-në. Seanca e radhës në ngarkim të kësaj dosjeje do të zhvillohet ditën e hënë.       ar.ba

4 muaj
radhazi ka dështuar seanca e gjyqit në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të Bandës së Durrësit. Shkak për shtyrjen e seancave është bërë mosparaqitja e avokatëve. Ky proces është shtyrë për muaj me radhë edhe në fillim të tij, për shkak të avokatëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›