E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo ulje dënimi vrasësve të policit

Tre adoleshentët e përfshirë në vrasjen e policit të Vlorës, Roland Likaj, në tetor të vitit të kaluar, nuk do të përfitojnë ulje dënimi, nëse do të deklarohen fajtorë nga Gjykata për Krimet e Rënda.Pesë gjyqtarët që po gjykojnë dosjen në ngarkim të tyre rrëzuan dje kërkesën e të pandehurve Jetnor Nakoleci, Saleo Stojani dhe E.Zeqo për gjykim të shkurtuar. Kërkesa në fjalë ishte artikuluar nga të pandehurit dhe avokatët e tyre në seancën e fundit të këtij procesi, e zhvilluar të hënën. Në atë seancë avokatët pretenduan se çështja mund të zgjidhej në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Në seancën e djeshme, me anë të një vendimi të ndërmjetëm, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova vendosi rrëzimin e kësaj kërkese. Sipas gjykatës, çështja në ngarkim të Nakolecit, Stojanos dhe Zeqos nuk mund të zgjidhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet e dosjes. Gjykata refuzon kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Çështja në ngarkim të Jetnor Nakolecit, Saleo Stojanit dhe E.Zeqos nuk mund të zgjidhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet e dosjes. Gjykata vlerëson se aktet duhet ti nënshtrohen debatit gjyqësor. Është e nevojshme që të merren akte të tjera në llogari të gjykimit, që nuk janë bërë gjatë hetimit, argumentoi vendimin trupa gjykueses. Sipas këtij vendimi, tre të rinjtë do të gjykohen në një proces normal te Krimet e Rënda. Refuzimi i gjykimit të shkurtuar ua heq mundësinë e uljes së një të tretës të masës së dënimit, të tre të pandehurve të kësaj dosjeje.
SEANCA
Pasi shpalli vendimin e ndërmjetëm për refuzimin e gjykimit të shkurtuar, Gjykata për Krimet e Rënda çeli dje procesin gjyqësor në ngarkim të tre të pandehurve. Përfaqësuesi i Prokurorisë në proces, prokurori Xhevat Hana, lexoi para trupit gjykues kërkesën për gjykimin e të pandehurve Jetnor Nakoleci, Saleo Stojani dhe E.Zeqo. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Jetnor Nakoleci, i cili e ka pranuar autorësinë e vrasjes së policit, akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese. Ndërsa të pandehurit Saleo Stojani dhe E.Zeqo akuzohen për moskallëzim krimi. Njëkohësisht, prokurori paraqiti para gjykatës një liste me 16 emra dëshmitarësh për tu thirrur në proces. Në vijim, kërkesës së gjykatës për parashtrimet hyrëse nga pala e mbrojtjes iu përgjigj vetëm avokati i të pandehurit Nakoleci. Jetnor Nakoleci duhet ti nënshtrohet një ekspertimit mjeko-ligjor për gjendjen e tij psikike në të cilën ndodhet, kërkoi avokati i tij, duke argumentuar se i pandehuri Nakoleci e ka pranuar me shumë qetësi autorësinë e vrasjes. Ndërsa dy avokatët e tjerë kërkuan ti shprehin në seancën e radhës pretendimet e tyre. Nga ana e të pandehurit Saleo Stojani, emri i shumënjohur për shkak të autorësisë së dhjetëra vjedhjeve, tha para gjykatës se ai i përmbahej deklarimeve të dhëna në prokurori.

Saleo zbardhi vrasjen

Dëshmia e Saleo Stojani, emri i shumëlakuar për numrin e madh të vjedhjeve që mbajnë autorësinë e tij, ishte çelësi i Prokurorisë për zbardhjen e vrasjes së oficerit të Policisë, Roland Likaj. Pas arrestimit, Stojani përjashtoi veten e tij dhe të bashkëpandehurit E.Zeqo nga vrasja. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Saleo Stojani pohoi se ishte Jetnor Nakoleci ai që kishte qëlluar mbi policin Likaj. Versioni i tij u mbështet më vonë edhe nga Nakoleci, i cili pranoi autorësinë e krimit.

Oficeri u vra kur po ndiqte grabitësit

TIRANE   Jetnor Nakoleci, Saleo Stojani dhe E.Zeqo u morën të pandehur nga Prokuroria për Krimet e Rënda për ngjarjen e mbrëmjes së vonë të 17 tetorit 2010 në qytetin e Vlorës, kur u vra efektivi i Policisë, Roldan Likaj. Efektivi Likaj u gjet i vrarë në makinën e tij, i qëlluar me një plumb në kokë në lagjen 1 Maji të këtij qyteti, vetëm pak minuta më parë ai kishte lajmëruar kolegët e tij se po ndiqte dy persona të dyshuar dhe kishte kërkuar përforcime. Nga hetimet e mëtejshme, Prokuroria i identifikoi si të përfshirë në ngjarje tre të pandehurit. Sipas hetimeve, një ditë para vrasjes së oficerit, Nakoleci, Stojani dhe Zeqo janë nisur nga Tirana për në Vlorë, me qëllim grabitjen gjatë natës. Por, teksa kishin shenjëstruar një banesë private në këtë qytet, ata janë pikasur nga oficeri i Policisë Likaj. Oficeri ka vënë re lëvizjet e tyre në qytet në orët e para të datës 18.10.2010, i cili i ka mbajtur ata në vëzhgim teksa endeshin disa rrugicave të qytetit bregdetar. Po sipas Prokurorisë, pak minuta më pas, oficeri Roland Likaj iu është afruar atyre me automjetin e tij privat dhe duke iu drejtuar atyre i ka pyetur nga ishin dhe ku banonin. Pasi ka marrë përgjigje në distancë nga dy prej tyre, efektivi Likaj ka formuar një numër në telefonin e tij celular. Por, sipas Prokurorisë, sapo ka filluar të flasë ai është qëlluar në mënyrë të befasishme dhe të menjëhershme në kokë, në anën e majtë, rrëzë veshit, me armë zjarri pistoletë nga ana e shtetasit Jetnor Nakoleci, duke mbetur i vdekur në vend.    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›