E Diel, 1 Nëntor 2026

ADN zbardh misterin, emigranti u vra nga nipi për 3 mijë euro

Policia arrestoi Aurel Hysën 16 vjeç, si të dyshuar për vrasjen e xhaxhait të tij Fatbardh Hysi, i cili u gjet me 7 plagë thike në një kasolle në Shkozet

Durrës-Zbardhet misteri i vrasjes se 34-vjeçarit në Shkozet të Durrësit. Sipas policisë, nipi e ka qëlluar atë me thikë pas një sherri për një sasi parash të humbura. Hetimet e agjentëve të policisë së Durrësit kanë çuar në arrestimin e Aurel Hysës, djali i vëllait të viktimës, i cili dyshohet se është edhe autori vrasjes së Fatbardh Hysës. Sipas policisë, Aurel Hysa ka qëlluar për vdekje me thikë xhaxhain e tij dhe më pas është larguar nga vendngjarja, por ka lënë aty mjaftueshëm ADN sa për t’u identifikuar si autor i krimit.

Zbardhja

Ekspertët mjekoligjorë zbuluan 7 plagë me thika në trupin e emigrantit Fatbardh Hysa. Që herët policia pati hedhur dyshime për një krim, për të cilin të afërm të viktimës mund të kishin dijeni. Ata kanë marrë në pyetje të gjithë personat që kishin kontaktuar me Fatbardhin dhe duket se kanë zbuluar nga tabulatët që ai nuk ka pasur kontakte me asnjë të panjohur dhe telefonata e fundit kishte qenë me nipin. Menjëherë pas kësaj policia ka kaluar në sitë rrëfimet e familjarëve dhe duket se ka hasur në shumë pika të errëta pas marrjes në pyetje të nipit. Zbulimi i historisë së zhdukjes së tremijë eurove duket i ka bërë më të forta dyshimet dhe policia ka kërkuar ADN e të riut, pasi më parë kishte identifikuar kod gjentik të huaj në trupin e të vrarit. Pikërisht analiza e ADN-së ka bërë që hetuesit të përforconin faktin se autor i krimit ishte Aurel Hysa, nipi i të vrarit.

Motivet

Policia hedh dyshimet se Aureli dhe Fatbardhi kanë konsumuar një sherr për një shumë prej 3 mijë eurosh të zhdukur dhe që Fatbardhi besonte se i kishte marrë nipi të cilit ia ka kërkuar në telefon. Ky i fundit duket se ka ftuar për tu sqaruar xhaxhain, por e ka qëlluar me thika në një barake në Shkozet. Fillimisht policia hodhi dyshime për një krim pasioni, por duket kjo pistë është hequr mënjanë menjëherë pas zbulimit të historisë së parave. Një borxh i vjetër që duket se kishte krijuar probleme brenda familjes Hysi. Nuk dihet ende pse dhe ku janë takuar nipi dhe xhaxhai, por sipas policisë takimi ka qenë fatal për 34-vjeçarin.

Zhdukja

Kanë qenë familjarët e 34-vjeçarit që kanë denoncuar zhdukjen e njeriut të tyre, i cili nuk përgjigjej në telefon, ndërsa ishte larguar prej dy ditësh nga shtëpia. Ata kanë shkuar në komisariatin e policisë dhe kanë dhënë detajet nga takimi i fundit me Hysin, ndërsa kanë thënë se ai ishte larguar pasi kishte marrë më herët një telefonatë, por ata nuk kanë ditur të përcaktojnë se nga kush është bërë telefonata. Sipas të afërmve, menjëherë pas kësaj 34-vjeçari është larguar dhe nuk është bërë më i gjallë, ndërsa ata janë shqetësuar pasi nuk mund të vinin në kontakt me të. Policia zbuloi trupin e pajetë në një barakë në lagjen 14, në Shkozet. Ai u identifikua një ditë pas gjetjes, si Fatbardh Hysi, 34 vjeç. Fillimisht u dyshua për një vdekje nga i ftohti, por pas ekspertizës në trupin e tij u gjetën shenja dhune dhe goditje me thikë. “Ekspertët mjekoligjorë kanë vërtetuar se mbi trupin e Hysit janë gjetur shenja dhune, fakt që dëshmon se 34-vjeçari është vrarë me sende të forta”, - njoftoi policia. I riu kishte pak ditë që kishte mbërritur në Shqipëri nga Greqia dhe pa lënë asnjë gjurmë ishte zhdukur në mënyrë të mistershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›