E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, dëshmitarët nuk njohin asnjë nga të pandehurit

22/02/2009  Gjashtë dëshmitarë tregojnë vrasjen e Nimet Zenelit në shkurt të vitit 1998

TIRANË - Banda e Lushnjës vazhdon me pyetje të dëshmitarëve. Seanca e djeshme gjyqësore pati si protagonist të saj gjashtë dëshmitar të ardhur nga qyteti i Lushnjës. Ata deklaruan për dijeninë që kanë në lidhje me ngjarjen e vitit 1998, ku si pasojë e një konflikti me armë u vra shtetasi Nimet Zeneli. Skënder Kaja, Mustafa Gremi, Fatos Buzi, janë tre nga dëshmitarët që u pyetën fillimisht. Dëshmitarët pranuan faktin se kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, por deklaruan se nuk mbanin mend fakte konkrete dhe emra personash. Ngjarja sipas dëshmitarëve ka ndodhur në 13 shkurt, 1998 në Kolonjë të Lushnjës, kur si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vra shtetasi Nimet Zeneli. "Pashë një grumbull njerëzish, nga të cilët mësova se ishte vrarë një person", tha para gjykatës dëshmitari Mustafa Gremi, duke iu referuar momenteve pas atentatit ndaj Nimet Zenelit. Dëshmitarët e thirrur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, janë banorë të Kolonjës në Lushnje, të cilët ditën kur u vra Nimet Zeneli, ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Pothuajse të gjithë dëshmitarët nuk kanë përmendur emra autorësh, apo pjesëtarë të bandës së Lushnjës. Ata deklaruan se kanë parë shumë njerëz aty dhe në mes tyre viktimën, por pa e ditur motivin e vrasjes dhe autorët e saj. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se vrasja e Nimet Zenelit, 11 vjet më parë në Lushnjë, ka për autorë të pandehurit e ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare. Me cilësinë e të pandehurit në këtë proçes, janë shtetasit: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Aldo Bare, i cili po ashtu është në proces gjykimi në këtë gjykatë, por në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Për Prokurorinë ekzistojnë prova dhe fakte konkrete që fusin në rrjetin e implikimit të pandehurit e bandës së Lushnjës. Një pjesë e mirë e dëshmitarëve kanë treguar për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja dhe arsyen përse u vra Nimet Zeneli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›