E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentet për të siguruar tokën

22/02/2009  Letrat që do të dorëzohen nëse komisioni vendor i verifikimit vëren shkelje

Procedurat për hetimin e ndarjes së sipërfaqeve sipas ligjit 7501

Qeveria shqiptare ka përcaktuar listën e dokumenteve që një qytetar duhet të disponojë për të ruajtur pronën e marrë nga zbatimi i ligjeve për tokën pas 1992-shit. Për herë të parë saktësohen edhe rastet kur pretendohet nga kërkuesi se i takon sipërfaqe toke më shumë nga sa ai ka. Përveç kërkesës për korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, ai duhet të dorëzojë pranë komisionit vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) edhe certifikatën e gjendjes familjare, aktin origjinal të marrjes së tokës në pronësi, si dhe vërtetimin se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore më 1.08.1991, ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.10.1992.

Dokumentet

Në rastet kur kërkohet korrigjimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi, pranë komisionit vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) krijohet dokumentacioni i ri ligjor, në bazë të të cilit lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi. Pranë komisionit vendor qytetari paraqet: kërkesën për korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi; certifikatën e gjendjes familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e komunës ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes bujqësore ose individi në favor të të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1.08.1991 për ish-anëtarët e kooperativës bujqësore dhe 1.10.1992 për punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore; aktin e marrjes së tokës në pronësi, në origjinal, së bashku me planvendosjen e ngastrës të konfirmuar nga kryetari i komunës; planvendosjen e ngastrës që qytetari sipas informacionit që ka pretendon se është e pandarë, të hartuar sipas hartës treguese të regjistrimit në shkallën 1:2500; vërtetimin e faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore më 1.08.1991 ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.10.1992. Për këtë qytetari duhet të depozitojë shkresën nga ISSH-ja për pagesën ose jo të pensionit, si dhe konfirmimin, cilido qoftë ai, të kryetarit të komunës për këtë fakt. Në të kundërt qytetari ka të drejtë të depozitojë pranë komisionit vendor çdo dokument që vërteton faktin e mësipërm.

Hapat e KV-së

Për të proceduar në shqyrtimin e kërkesës për korrigjim, komisioni vendor i kërkon kryetarit të komunës apo bashkisë një sërë informacionesh lidhur me tokën e vënë në dispozicion për t’u ndarë dhe numrin e përfituesve. Ndërsa seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark KV-ja i kërkon të dhëna për sa u përket zërave kadastralë dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmimin e gjendjes juridike aktuale të pronësisë për ngastrën objekt pretendimi. KV-ja pasi bën të gjitha verifikimet, në bazë të dokumentacionit të ri të krijuar pranë tij vendos për korrigjimin ose jo të aktit të marrjes së tokës në pronësi.

Marrja e informacionit

Të dhënat që duhet të disponojë njësia vendore

Komisioni vendor i kërkon kryetarit të komunës apo bashkisë një listë të gjatë të dhënash për të zgjidhur drejt kërkesën që i është paraqitur për verifikimin e titujve të pronësisë. Konkretisht ai kërkon: sipërfaqen e tokës bujqësore të venë në dispozicion për t’u ndarë më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore; numrin e frymëve më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore; normën e tokës bujqësore në m2 për frymë më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm të përcaktuara në vendimin nr. 255 të Këshillit të Ministrave; konfirmimin se është lëshuar apo jo akti i marrjes së tokës në pronësi në sipërfaqen e tokës, objekt pretendimi për persona të tjerë nga 1.08.1991; t’i verë në dispozicion ngastrat e tokës bujqësore aktualisht të pandara të pavëna në dispozicion të AKKP-së si fond i kompensimit fizik; dhe çdo informacion tjetër që gjykohet i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të kërkesës.

Procedurat

Përmbajtja e vendimit deri në njohjen e saj

Komisioni vendor, në bazë të dokumentacionit të grumbulluar, vendos të korrigjojë ose jo aktin e marrjes së tokës në pronësi. Por pavarësisht llojit të vendimit, ai duhet të përmbajë: familjen bujqësore që fiton të drejtën e pronësisë, ku janë pasqyruar të gjithë pjesëtarët dhe pjesët takuese që ata kanë në këtë bashkëpronësi; sasinë dhe zërin kadastral (arë, pemëtore, ullishte, vresht) të tokës bujqësore shtesë, për të cilën do të vendoset të jepet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi; emrat e pronarëve kufitarë të pronës sipas numrave kadastralë të ngastrave; dhe planvendosjen e ngastrës apo ngastrave të ngjyrosura e të dallueshme nga ngastrat kufitare. Vendimi do të titullohet “Vendim për korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronës” dhe hartohet në dy kopje origjinale, njëra nga të cilat së bashku me dokumentacionin e krijuar mbetet pranë komisionit vendor. Ai dërgon në seksionin e administrimit dhe të mbrojtjes së tokës në qark autorizimin dhe kopjen origjinale të vendimit të mësipërm për lëshimin e aktit të ri të marrjes së tokës në pronësi bashkë me fotokopje të dokumentacionit të ri ligjor të krijuar, si dhe katër aktet e marrjes së tokës në pronësi së bashku me katër planvendosjet, të plotësuara nga ky komision.

Regjistrimi nga ZVRPP

Seksionit të administrimit në qark “vulos” miratimin

Komisioni vendor i kërkon zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmimin e gjendjes juridike aktuale të pronësisë për ngastrën apo ngastrat objekt pretendimi. Ndërsa konfirmimin e zërit kadastral si për ngastrën sipas aktit të marrjes së tokës në pronësi të paraqitur, ashtu dhe për ngastrën e pretenduar; sipërfaqen e tokës bujqësore të vënë në dispozicion për t’u ndarë më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore; normën e tokës bujqësore në m2 për frymë më 1.08.1991 sipas fshatrave për ish-kooperativat bujqësore apo më 1.10.1992 sipas fshatrave (subjekteve) për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm të përcaktuar në vendimin nr. 255 të Këshillit të Ministrave; janë informacione që komisioni ia kërkon seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark. Ndërsa vetë seksioni nga ana e tij, në bazë të vendimit të KV-së dhe të dokumentacionit që disponon, kontrollon aktin e ri të marrjes së tokës në pronësi dhe planvendosjet përkatëse të ngastrës dhe, kur i gjen ato në përputhje me ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i miraton ato.

Prioritare për verifikim

Zonat në bregdet

Pyjet

Mbivendosjet

Sipërfaqet e ankimuara

Vendimet e bashkisë dhe komunave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›