Banda e Niklës, Apeli 91 vjet burg të pandehurve
TIRANE- Të cilësuarit si anëtarë të "Bandës së Niklës", nuk mundën të fitonin betejën me drejtësinë as në Shkallën e Dytë të gjyqësorit. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për shtatë të pandehurit, që i cilësoi fajtorë këta të fundit dhe dënoi ata me 91 vite burg. Kështu, Petrit Lleshi u dënua me 17 vjet heqje lirie, Flamur Haka 16 vite, Kreshnik Berisha, 17 vite, Mustafa Xheka, 11 vite, Edmond Sina, 10 vite, Agron Tafani 6 vite dhe Ervin Belba, 5 vite burg. Të pandehurit u cilësuan fajtorë për 11 episode kriminale të kryera përgjatë viteve 1998-2005. Bëhet fjalë për vrasje të mbetur në tentativë, pengmarrje, gjobëvënie, grabitje me dhunë, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Petrit Lleshi dhe Flamur Haka janë cilësuar si kapo të kësaj bande. Një ditar i mbajtur nga i pandehuri Kreshnik Berisha, ishte dhe prova më e fortë që la pas hekurave të akuzuarit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)