‘Strasburg, të shtojmë avokatët për gjyqet e pronave
Një ndër amendimet kryesore të diskutuara dje në komisionin e ligjeve është ngritja e një strukture të posaçme në Strasburg. Qëllimi i këtij ndryshimi është fakti se humbja e shtetit ka ardhur si pasojë e mbrojtjes së dobët të tij
TIRANE-Humbja e shtetit në disa çështje të rëndësishme për ballë qytetarëve të vet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ka detyruar qeverinë të ndryshojë ligjin “Për Avokaturën e Shtetit”. Një ndër amendimet kryesore të diskutuara dje në komisionin e ligjeve është ngritja e një strukture të posaçme në Strasburg, në përbërje të së cilës do të jenë juristë me një eksperiencë pune mbi 15 vjet dhe me një kapacitet të lartë profesional. Qëllimi i këtij ndryshimi sipas Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, Eduard Halimi, është fakti se humbja e shtetit ka ardhur si pasojë e mbrojtjes së dobët të tij. Një pjesë e mirë e çështjeve që shtetit shqiptar ka humbur në gjykatën ndërkombëtare, janë çështje pronësie, që më së shumti janë fituar nga qytetarët shqiptarë të cilët kanë fituar të drejtën e dëmshpërblimit nga kjo gjykatë. Mungesa e profesionalizmit të juristëve të Ministrisë së Jashtme që deri dje mbronin Shqipërinë në Strasburg, ka penalizuar shtetin sipas Halimit, me një faturë të lartë financiare prej qindra mijëra eurosh. Ndaj dhe kjo situatë sipas tij, duhet të marrë fund. Por ky vendim i qeverisë ka shkaktuar debate në komision. Opozita gjatë seancës së pyetjeve drejtuar Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, kërkoi shpjegim lidhur me faktin se nëpërmjet kësaj nisme ky autoritet përfaqëson shtetin kundër taksapaguesve të tij. “Ju zotërinj do të përfaqësoni shtetin kundër taksapaguesve dhe taksapaguesi shqiptar apo ish-pronari, nuk ka një zyrë përfaqësimi për shembull të Avokatit të Popullit, që të ketë përfaqësimin ligjor qoftë dhe për të marrë një konsulencë juridike. Pra, ju na kërkoni që të përfaqësoheni në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut si përfaqësues i shtetit dhe për taksapaguesit askush nuk pyet, ju po shfrytëzoi paret e tij për ta goditur”, - tha deputeti socialist, Pandeli Majko. Por Halimi ngritjen e kësaj strukture e cilësoi si diçka pozitive që do t’i krijojë mundësi mbrojtje shtetit, gjë që më parë sipas tij, ekzistonte vetëm për disa çështje të caktuara. “Argumenti që ju ngrini është njëlloj sikur të pretendosh që prokurorët paguhen nga taksapaguesit për të dënuar këta taksapagues. Unë jam prokuror por për çështje civile, jo për çështje penale. Për sa i përket çështjeve në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, është bërë publike që ka disa vendime të saj që kanë dënuar shtetin shqiptar me shuma relativisht të larta dhe ne mendojmë që kjo ka ardhur edhe si pasojë e një mbrojtjeje jo të mirë që i është bërë nga përfaqësuesit tanë atje”, - sqaroi Halimi.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)