E Shtunë, 31 Tetor 2026

EVN e CEZ, hetim për abuzime në Bullgari

Nga Genc Kondi
Sipas shtypit bullgar, këtë javë në Bullgari Autoriteti i Konkurrencës i këtij vendi ka filluar hetim lidhur me abuzime të mundshme të austriakëve të EVN me pozitën e tyre dominuese në tregun energjik të këtij vendi. 

TIRANE- Dy kompani të privilegjuara nga Ekzekutivi shqiptar pas vitit 2005, po hasin probleme ligjore në Ballkan, që kanë vënë në dyshim seriozitetin e tyre në marrëdhënie me klientët dhe shërbimet që u ofrojnë atyre. Fjala është për firmat EVN dhe CEZ, që operojnë në fushën e energjisë elektrike dhe që vitet e fundit kanë njohur një ekspansion të vërtetë në vendet ballkanike, jo vetëm në sajë të çmimeve më të mira që kanë ofruar për shërbimet e tyre. Sipas shtypit bullgar, këtë javë në Bullgari Autoriteti i Konkurrencës i këtij vendi ka filluar hetim lidhur me abuzime të mundshme të austriakëve të EVN me pozitën e tyre dominuese në tregun energjik të këtij vendi. Institucioni në fjalë ka bërë të ditur, nëpërmjet një deklarate, se ka filluar të marrë në shqyrtim ankesat e shumta të konsumatorëve në qytetin juglindor të Haskovos, ku si pasojë e furnizimit të konsumatorëve me energji me voltazh më të ulët se sa ai i parashikuar në kontratë, janë djegur shumë televizorë dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake. Nga ana tjetër, kompania nuk ka denjuar as t'u përgjigjet këtyre ankesave nëpërmjet dëmshpërblimeve, ndërkohë që u është përgjigjur negativisht kërkesave të konsumatorëve të rinj për t'i lidhur me rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Gati me të njëjtat probleme është përballur edhe kompania çeke CEZ, për të cilën gjithashtu, Autoriteti bullgar ka filluar hetimet qysh në muajin shtator. Kompanitë rrezikojnë gjoba nga 150 mijë euro, përveç dëmshpërblimeve që duhet t'u paguajnë qytetarëve të dëmtuar prej tyre. Kompania EVN ka hyrë në tregun energjetik në Shqipëri pas ardhjes së Berishës në pushtet dhe tashmë ka marrë me koncension të gjithë pellgun ujëmbledhës të Devollit, ndërkohë që është angazhuar edhe në ndërtimin e HEC-it të Ashtës. Ndërsa CEZ, me qendër në Çeki, por me degë në Beograd, sapo është shpallur fituese e tenderit për blerjen e OSSH-së.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›