PD tërhiqet për ligjin e spiunëve

Duke bërë thirrje edhe një herë për bashkëpunim, relatori i PD-së, Aldo Bumçi, ka deklaruar dje, se demokratët janë gati të ulen për të diskutuar me PS-në, për sa i përket miratimit të Ligjit për Pastërtinë e Figurave të Zyrtarëve të Lartë.
Duke mbetur te titulli i këtij projektligji, Bumçi tha se jemi dakord që pjesë e objektit të hetimit të jenë vetëm zyrtarët e lartë dhe të zgjedhurit në institucionet kushtetuese dhe jo të gjithë shqiptarët.
Propozim ky që pak kohë më parë është bërë nga socialistët dhe po kështu PD-ja pranon edhe propozimin tjetër të PS-së, që të drejtën për t’u njohur me dosjen e sigurimit i takon vetëm personit, i cili është i prekur, pra ekziston një dosje për të.
Por, askush tjetër nuk mund të shkojë të kërkojë shqyrtimin e një dosjeje që nuk është e tija. Kjo tërheqje dhe shtrirje dore për bashkëpunim, sipas Bumçit, ka ardhur pas seminarit të bërë ditën e martë nga gjermanët, të cilët ofruan eksperiencën e tyre në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Eksperienca gjermane është eksperienca më e plotë për të gjithë Evropën Lindore, e cila duhet të na shërbejë për të përfunduar këtë proces që kemi nisur në Shqipëri, që po zvarritet në mënyrë të papranueshme, për shkak të vullnetit të PS-së, të trashëgimtares së Partisë së Punës”, është shprehur Bumçi.
Më tej, ai ka theksuar para gazetarëve, se duke marrë shkas dhe nga seminari i pardjeshëm dhe përvoja gjermane në këtë fushë, ne duhet të konsiderojmë seriozisht përfshirjen e një elementi të ri të ligjit që kemi në Shqipëri. Sipas Bumçit, “ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, të kufizohej vetëm për zyrtarët kryesorë.
Ai tha se “ne mendojmë se është e rëndësishme që e drejta për t’u njohur me dosjen e sigurimit i takon çdo qytetari, çdo i persekutuar i regjimit komunist ka të drejtë të njihet me dosjen e tij, pra me dosjen që sigurimi kishte përgatitur kundër këtij personi, pra mendojmë se kjo është një e drejtë legjitime dhe duhet të përfshihen në ligjin në fjalë”.
Por, për të realizuar këtë ligj, duhet edhe bashkëpunimi i PS-së, ndaj Bumçi i ka bërë thirrje edhe një herë PS-së, dhe kryetarit të saj, Edi Rama, të bëhet pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm.