Banda e makinave, 6 në pranga për vjedhje e armë
Tiranë- Një grup grabitësish, i akuzuar për vjedhjen e një sërë makinash, është shkatërruar ditën e djeshme nga efektivët e komisariatit të Policisë Kavajë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit policor, të koduar “Porosia e fundit”, është bërë i mundur ndalimi i një grupi kriminal, me tendencë vjedhjet e automjeteve, edhe me anën e përdorimit të armëve. Sipas hetimeve të deritanishme, grupi vepronte në Tiranë e Kavajë. Të arrestuarit janë Xhavit Beu 22 vjeç, Ervin Karruli 19 vjeç, Elton Tafa 29 vjeç, Shefqet Geca 38 vjeç, si dhe i dy 16-vjeçarëve me inicialet M. Gj dhe A. B. “Ndalimi i këtyre u bë pas dokumentimit ligjor, ku në sajë të hetimeve ka rezultuar se ata janë bashkëautorë të një sërë vjedhjesh të automjeteve në Tiranë e Kavajë”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Qarkut Tiranë. Në bazë të hetimeve të kryera deri më tani, ka rezultuar se gjashtë të arrestuarit janë përgjegjës, për të paktën 4 vjedhje automjetesh të ndodhura në Tiranë e Kavajë. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e të arrestuarve janë gjetur një sërë materialesh, që u shërbenin për të kryer grabitjet. Gjithashtu është arritur të sekuestrohen dhe dy automatikë dhe disa municione, çka u ka shtuar atyre akuzën e armëmbajtjes pa leje. “Aktualisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë po punohet intensivisht për dokumentimin e të tjera vjedhjeve të realizuara nga ky grup kriminal, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto grabitje. Njëherazi, materialet i kaluan Prokurorisë, për konsumim të veprave penale të “Vjedhjes”, e realizuar në bashkëpunim dhe të “Armëmbajtjes dhe municioneve pa leje” – mbyllet njoftimi i Policisë së Tiranës. Gjashtë të arrestuarit për vjedhje të makinave janë izoluar në ambientet e policisë, ndërsa ekspertët janë duke punuar për të zbardhur raste të tjera vjedhjes, ku ata dyshohet se mund të jenë implikuar. Hetimet e mëtejshme pritet të ndiqen nga prokurorët e Kavajës dhe Tiranës