E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Gardistët akuzohen për vrasje

Tiranë- Vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave. Kjo është akuza e ngritur nga Prokuroria e Tiranës për dy oficerët e Gardës, që tashmë ndodhen nën arrest, Alfred Ahmetcenaj dhe Agim Llupo. Në rast se akuzat kundër tyre vërtetohen, atëherë ata rrezikojnë nga 20 vjet, deri në burgim të përjetshëm. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se 6 oficerët drejtues të Gardës janë dorëzuar pasditen e së martës në Prokurorinë e Tiranës. “Menjëherë mbas dorëzimit, Policia Gjyqësore e Policisë Tiranë ka zbatuar për të gjashtë personat, urdhrat e prokurorit, të datës 22.01.2011, për ndalimin e tyre, duke i vënë ata në dispozicion të prokurorit. Të gjashtë të ndaluarit iu nënshtruan marrjes në pyetje, nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, dhe kjo procedurë vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të datës 09.02.2011. Në përfundim të kësaj procedure, si dhe në vlerësim të rrethanave të deritanishme të hetimit, nga ana e prokurorëve u urdhërua lirimi i menjëhershëm për shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku”, - thuhet në njoftim. I vetmi që mbeti në arrest është Alfred Ahmetcenaj, me detyrë komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, i cili së bashku me vartësin e tij, Agim Llupo do të procedohet me paraqitjen në Gjykatë të kërkesës për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, si persona të dyshuar për kryerjen, në bashkëpunim, të veprës penale të parashikuar nga neni 79, germat “dh” dhe “ë” të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›