E Diel, 1 Nëntor 2026

Minë C4 me telekomandë, makinës së avokatit të VIP-ave, Genc Gjokutaj

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 10-02-2011 10:03

Tiranë- Një sasi eksplozivi C4 është zbuluar paraditen e djeshme në automjetin e një prej avokatëve më të njohur në vend, Genc Gjokutajt. Sasia e eksplozivit ishte e vendosur në pjesën e poshtme të automjetit, por fatmirësisht ajo është diktuar në kohë nga ana e Gjokutajt. Ka qenë avokati, ai që ka njoftuar forcat e policisë, të cilat bënë të mundur çaktivizimin e sasisë plasëse dhe shpërthimin e saj në mënyrë të kontrolluar. Kërcënimi me eksploziv i avokatit, që ka kaluar në duar disa çështje të rëndësishme, ka ndodhur paraditen e djeshme në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku avokati Genc Gjokutaj kishte dërguar në servis automjetin e tij “Renault”. Burime nga policia bënë me dije se kanë qenë punonjësit e servisit të makinave, ata që kanë konstatuar diçka jo normale në automjetin e avokatit dhe menjëherë kanë njoftuar këtë të fundit. Menjëherë pas mbërritjes, Gjokutaj ka konstatuar një sasi eksplozivi që ndodhej poshtë automjetit të tij dhe menjëherë ka njoftuar forcat e policisë. Nga të dhënat paraprake mësohet se ka qenë një sasi jo shumë e madhe eksplozivi e llojit C4, shpërthimi i së cilës realizohej me telekomandë. Mësohet se mekanizimi për shpërthimin e eksplozivit ishte me anë të telefonit celular. Ndërkohë, efektivët e policisë, menjëherë pas çaktivizimit të sasisë së eksplozivit, nisën punën për identifikimin e autorëve të vendosjes së eksplozivit. Të parët që janë marrë në pyetje kanë qenë punonjësit e servisit, të cilët janë pyetur me hollësi në lidhje me dyshimet e tyre mbi makinën dhe zbulimin e sasisë së eksplozivit. Më pas është marrë në pyetje vetë avokati Genc Gjokutaj, i cili ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me dyshimet që mund të kishte për autorët e vendosjes së eksplozivit. Mësohet se përpara efektivëve të policisë, Gjokutaj ka deklaruar se nuk ka armiq, të cilët mund të kishin arritur deri në këtë pikë sa t’i bënin një atentat. Por, burime nga policia saktësojnë se hetimet kryesore janë përqendruar në profesionin e tij, pasi Gjokutaj njihet si avokat i shumë personazheve të njohur të botës së krimit, biznesit dhe politikës në Tiranë. Gjithashtu, ai është pyetur nëse ka pasur kërcënime gjatë kohëve të fundit, por mësohet se avokati e ka refuzuar një fakt të tillë. Grupi hetimor, i ngritur për këtë ngjarje, ka kryer të gjitha kontrollet në mjetin e Gjokutajt, për të gjetur gjurmë të mundshme të autorëve. Nga ana tjetër, ata janë fokusuar në proceset gjyqësore ku ka marrë pjesë avokati Genc Gjokutaj, me dyshimet se aty mund të gjenden dhe autorët e mundshëm të vendosjes së sasisë së eksplozivit në makinën e tij. Emri i Genc Gjokutajt është bërë shumë i njohur gjatë viteve të fundit, si avokati mbrojtës i një sërë figurash të përfolura në vendin tonë. Ai ka pasur në mbrojtje biznesmenin serbo – boshnjak, Damir Fazliç, por edhe biznesmenin tjetër, Rrahman Selmanllari. Gjokutaj gjithashtu ka qenë dhe avokati mbrojtës i ish- ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Çështja më e fundit që Gjokutaj kishte marrë përsipër ishte ajo e 21 Janarit, duke përfaqësuar majorin e arrestuar për vrasjen e Ziver Veizit, Agim Llupon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›