Mbyllet pakti për gardistët, Prokuroria liron 5 prej tyre
Tiranë- Urdhër-ndalimet për oficerët e Gardës mbyllen pas 2 javësh replika e negociata, me lirimin e pesë prej tyre. Vorbulla e ngërçit që kishte përfshirë Prokurorinë, Policinë dhe Ekzekutivin është zhbllokuar mbrëmjen e së martës, me gjasë falë rolit aktiv në këtë çështje të prokurorit amerikan, Mike Cain. Tentativat e vazhdueshme për dorëzimin e gardistëve janë finalizuar vetëm rreth orës 18:00 të pasdites së të martës, kur komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe pesë vartësit e tij janë paraqitur vullnetarisht në Prokurorinë e Tiranës. Fillimisht, ata u janë nënshtruar procedurave standarde, pra një ekzekutimi “de jure” të urdhër-ndalimeve të mbetura pezull, që prej datës 22 janar, e më pas janë marrë në pyetje nga pesë prokurorët e çështjes. Burime të rezervuara pohuan se drejtuesit e Gardës së Republikës kanë pranuar më në fund të paraqiten në ambientet e Prokurorisë, të shoqëruar edhe nga avokatët e tyre mbrojtës, për t’u përballur kështu me grupin hetimor të demonstratës së 21 Janarit. Pas ndalimit, drejtuesit e Gardës: Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, komandant i njësisë nr. 2, Alfred Ahmetcenaj, komandant i Njësisë Speciale, Aleksandër Deda, si dhe dy efektivat Fatos Bushati e Altin Kollçinaku kanë dhënë shpjegime për llogari të hetimit, veçmas njëri-tjetrit. Seanca e pyetjeve ka zgjatur deri rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, kur prokurorët kanë arritur në përfundimin se, drejtuesit e Gardës duhet të hetohen në gjendje të lirë për vrasjet e 4 qytetarëve, ndërsa kanë urdhëruar vetëm arrestimin e Alfred Ahmetcenajt. Gjatë kësaj kohe, grupi i hetimit ka njoftuar edhe oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Tiranës, si dhe disa grupe të gatshme të policisë, të cilët kanë qëndruar në zonën përreth Prokurorisë, për të shmangur edhe ndonjë incident të mundshëm. Në përfundim të këtij “operacioni”, aty rreth orës 03:00 të mëngjesit, nuk ka munguar as tensioni mes drejtuesve të Gardës dhe policisë, për ndalimin e komandantit të Njësisë Speciale. Gardistët kanë kontestuar arrestimin e Ahmetcenajt, por gjithçka është mbyllur shpejt, pa krijuar konflikt të mëtejshëm, për çështjen që zvarritej prej 17 ditësh. Sipas deklarimeve të drejtuesve të Gardës, rezulton se asnjë prej tyre nuk ka pranuar të ketë pasur, apo dhënë urdhër për të qëlluar drejt demonstruesve me plumba luftarakë. Këto dëshmi, të harmonizuara edhe me prova të tjera, që prokuroria ka mundur të mbledhë gjatë hetimeve të deritanishme, kanë bërë që menjëherë pas përfundimit të pyetjeve, të urdhërohej lirimi i menjëhershëm për pesë, nga gjashtë drejtuesit e Gardës. Sipas prokurorisë, një nga kushtet kryesore ka qenë edhe garancia e dhënë prej tyre, për të mos u larguar nga vendi, pasi që prej datës 21 janari ata kanë vazhduar të qëndrojnë në detyrë. Duke qenë se momentalisht, prokuroria nuk ka prova që mund të tregojnë se drejtuesit e Gardës kanë urdhëruar efektivët e tyre të qëllojnë mbi demonstruesit, është vendosur përkohësisht që ata të hetohen në gjendje të lirë, duke mos përjashtuar kështu mundësinë e një urdhri të dytë ndalimi, nëse provohet se krerët e Gardës janë të implikuar në humbjen e katër jetëve rreth Kryeministrisë. Ndalimi, dhe më pas lirimi i tyre, vjen pas disa tentativave për dorëzimin e drejtuesve të Gardës, të cilët kanë pranuar të paraqiten në prokurori për herë të parë, vetëm pasditen e së martës. Disa ditë më parë, krerët e Gardës dhe prokurorët kanë pasur një “përplasje” në ambientet e Drejtorisë së Policisë, ku gardistët dhe prokurorët janë përballur mes tyre, duke acaruar kështu më shumë marrëdhëniet, dhe njëkohësisht duke lënë pezull ekzekutimin e urdhër-ndalimeve. Gjatë kësaj kohe ka pasur negociata të vazhdueshme nga përfaqësues të ambasadës amerikane, të cilët asistojnë Prokurorinë në hetimin e 21 Janarit, për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve, të cilat u finalizuan vetëm ditën e djeshme, me ndalimin dhe më pas lirimin e drejtuesve të Gardës së Republikës, të dyshuar për tejkalim kompetencash me pasojë vrasjen e katër personave dhe plagosjen e 7 të tjerëve. Urdhër-ndalimet për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës u pasuan me akuza të kryeministrit Sali Berisha, drejtuar kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit u akuzua si e implikuar në “puç", por zhvillimet e mëtejshme politike sollën edhe zbutjen e marrëdhënieve mes dy palëve. Aktualisht, Prokuroria ka vetëm dy të akuzuar për vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikajt, mesditën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.