E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja Jorgiç merr traktorin e premtuar nga Thaçi

Familja Jorgiç nga Lipjani ka pranuar sot një traktor, dhuratë e premtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës që i kishte bërë, vjet në nëntor, kësaj familjeje serbe.

Këshilltari i Kryeministrit, njëherësh drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, Srdjan Sentiç, ia dorëzoi çelësat e traktorit familjes së Dushan Jorgiçit, pjesëtar i komunitetit serb nga Lipjani, njofton Kryeministria nëpërmes një komunikate për shtyp.

“Kryeministri i Kosovës, së bashku me Ambasadorin e Amerikës në Kosovë, pas vizitës në familjen tuaj, më ka njoftuar se keni shprehur nevojën për mjete teknike për punimin e tokës, respektivisht se keni nevojë për një traktor. Meqë Kryeministri Thaçi si rezultat të agjendës së caktuar më parë, nuk pati mundësi të jetë sot këtu personalisht, në emër të tij jam këtu që t’ju dorëzoj çelësat e traktorit, si ndihmë e Qeverisë, me dëshirë që i njëjti t’ju shërbejë për përmirësimin e kushteve të jetës”, ka thënë Sentiç, me rastin e dorëzimit të çelësave.

Më tutje, këshilltari i Thaçit theksoi gatishmërinë e Zyrës së Kryeministrit për përkrahjen e projekteve prioritare në Komunën e Lipjanit, të cilat do të orientohen në forcimin komuniteteve dhe promovimin e multietnicitetit dhe tolerancës

Ai më tej bëri të ditur se ndër nevojat urgjente që janë parashtruar nga qytetarët dhe komuna e Lipjanit, është edhe investimi në ndërtimin e kanalizimit në lagjen ku përveç familjes Jorgić, jetojnë edhe familje tjera të komunitetit serb dhe komunitetit shqiptar.
“Zyra për Çështje të Komuniteteve së bashku me Komunën e Lipjanit do të shqyrtojë mundësinë e bashkëfinancimit të këtij projekti”, ka thënë Sentiç.

Në ceremoninë modeste të dorëzim-pranimit të çelësave të traktorit mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Florent Hoxha. “Komuna e Lipjanit është e përkushtuar që të gjithë qytetarëve të kësaj komune t’ju sigurojë një jetë sa më të mirë, dhe te gjitha shqetësimet tuaja dhe problemet infrastrukturore t’i realizojë në një të ardhme të afërt”, ka thënë Hoxha, me këtë rast.

Gjatë një vizite që i kishte bërë më 4 nëntor 2009, Komunës së Lipjanit dhe familjes Jorgiç që jeton në këtë komunë, kryeministri Thaçi i kishte premtuar Jorgiçit se do ta ndihmonte me pajisje për bujqësi, në mënyrë që t’i përmirësojë kushtet e jetesës dhe të mirëqenies sociale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›