E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bandat serbe “qërojnë” hesapet në Veri

Nga Express më 07 maj 2011 në ora 14:42

Rreth 20 persona të nacionalitetit serb nga disa banda të ndryshme, janë përfshirë në rrahje masive që ka ndodhur në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës nga stacioni veri, në pamundësi që të kontrollojë situatën në këtë pjesë të qytetit, ka kërkuar ndihmën nga komponenta policore e EULEX-it.

Burime të Kosovapress-it në veri, kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur të premten mbrëma dhe se përkundër prezencës të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, është dashur të vinë pjesëtarët e MUP-it serb për të qetësuar situatën dhe për ta vënë atë nën kontroll.

“Një automjet “Mercedes” me ngjyrë të zezë dhe me targa të Serbisë KM- 002 SZ, pastaj xhipi “BMW X5” me ngjyrë të bardhë, si dhe një xhip “Hyundai” ngjyrë e zezë, këto të fundit pa targa, kanë arritur me pjesëtarë të MUP-it të Serbisë rreth orës 23:00 në vendin e ngjarjes me ç’rast kanë arrestuar katër persona dhe kanë vënë situatën nën kontroll”, kanë thënë burimet, duke shtuar se pjesëtarët e policisë të Kosovës dhe asaj të EULEX-it kanë qenë vetëm spektatorë.

E gjithë kjo rrëmujë besohet të ketë qenë e motivuar nga përleshja e dy netëve më parë në mes bandave atje, ndërkohë që kanë qenë të përziera edhe disa femra të ardhura nga Serbia.

“Pas pak orësh kur ka ndodhur rrahja masive në qytet, një kioskë në veri të Mitrovicës ka qenë cak i sulmit me eksploziv. Me këtë rast është hedhur në ajër një kioskë pronë e një pjesëmarrësi në këtë përleshje”, kanë thënë në fund këto burime, duke shtuar se shpërthimi ndërlidhet drejtpërsëdrejti me rrahjen.

Në anën tjetër, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, i cili ka thënë për Kosovapress se të premten rreth orës 22:20 në udhëkryqin “Mbreti Petër” ka pasur rrahje masive mes dy grupeve të rinjsh serbë. Sipas tij, përveç Policisë së Kosovës është dashur të intervenojë edhe Policia e EULEX-it për ta vënë situatën nën kontroll.

“Me këtë rast është lënduar një person i nacionalitetit serb, i cili ka kërkuar mjekim në spitalin që ndodhet në veri të qytetit”, ka thënë Zahiti, duke shtuar se nuk ka pasur të arrestuar dhe se motivet e incidentit ende nuk dihen.

Ai, po ashtu, konfirmoi edhe hedhjen në ajër të kioskës në veri.

“Në orët e para të mëngjesit, përkatësisht rreth orës 3:00 në rrugën “Filip Vishnjiq” në veri të Mitrovicës, nga një eksplodim i fuqishëm, një kioskë është hedhur në ajër, që ishte pronë e një qytetari serb”, tha zëdhënësi Zahiti, duke mos pohuar, por as mohuar se eksplodimi ndërlidhet me qërim hesapesh mes bandave. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›