E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banditizmi me trashëgiminë kulturore

Gentian Stratobërdha/përgjegjës për Trashëgiminë në KOASH

-Shoh një tendencë neglizhence përsa i përket ndodhive në objektet e kultit orthodhoks. Edhe numri i objekteve është shumë më i madh. Janë gati 170 monumente kulture të kultit orthodhoks, duke pasur parasysh, që të kultit katolik dhe të besimit mysliman janë shumë më pak. Është ndoshta edhe fakti se objektet e kultit orthodhoks, duke filluar nga shekulli i 10-të, 11-të dhe në vazhdimësi deri në shekullin 18-të, 19-të, kanë interierë më të pasur. Afresket dhe ikonostaset në objektet e kultit kishtar orthodhoks gjenden me shumicë, interieret e kishave orthodhokse janë të ngarkuara me ornamente të dekoracionit dhe të artit. Por një tendencë indiference ndaj objekteve të kultit orthodhoks vihet re, kryesisht nga organet e shtetit. Nuk mund të them se është një tendencë drejtuar fesë, ose llojit të fesë, që përfaqësojnë këto objekte, por që deri diku ndjehet re një indiferentizëm.

Deri diku shteti mbrohet edhe me idenë se nuk ka një ndërgjegjësim të banorëve, por kjo është si puna e kokës së strucit, që e fut diku në një vrimë dhe kujton se gjithë trupi është i fshehur pastaj. Nuk mendoj të ketë të bëjë me ndërgjegjësimin e popullit, populli është besimtar, jo besimtar, apo i një besimi tjetër. Në momentin që këto kisha ndodhen në zona, ku ka dhe besimtarë orthodhoksë, nuk mendoj se kjo është edhe në natyrën e besimit të njerëzve, që një besimtar i krishterë do të dëmtonte kishën. Në mënyrë absolute nuk ndodh. Dhe kryesisht nga ngjarjet, nga të dhënat dhe historitë, që kemi dëgjuar dhe që na tregojnë vendasit, thonë se dikush, një grup të rinjsh, ose burrash të ardhur nga një fuoristradë me targa të huaja, që s’janë të zonës, kanë ardhur këtu, kanë dëmtuar. Nuk janë vendas ata që vijnë dhe i bëjnë janë të ardhur. Nuk bëhet fjalë, që komuniteti të ndërgjegjësohet për të ruajtur monumentet e tyre. Por monumentet, kryesisht të kultit orthodhoks, janë në zonat jashtë qytetit, ose jashtë fshatrave, ose në zonat malore, ose zona të vështira. Në çdo vend të botës, në qoftë se monumentet nuk ruhen, ato detyrimisht dikush do t’i shkatërrojë, nëse jo masa e gjerë e popullsisë, dikush qoftë i painformuar për vlerat e tyre, qoftë edhe për t’i dëmtuar me qëllim të caktuar, ose qoftë edhe për t’i vjedhur. Nuk mendoj se duhet ndërgjegjësuar populli, që të shpëtojnë monumentet, nuk është kjo rruga, që duhet ndjekur. Nuk besoj që të jetë kjo, sepse thashë se besimtarët e krishterë nuk e dëmtojnë kishën, është e pamundur, që një besimtar i krishterë të dhunojë kishën e besimit, ku ai beson. Ngjarjet kanë ndodhur gjithmonë nga njerëz, që janë të ardhur, nuk janë vendas, vijnë dëmtojnë, largohen edhe ikin. Dhe kjo është ngjarje, që ne e hasim gjithmonë nga tregimet e banorëve vendas...Nuk e di, kujt i intereson, që objektet e kultit orthodhoks të lihen në mëshirë të fatit dhe të dëmtohen. Ndërsa dikujt nuk i bën përshtypje, sepse ndoshta nuk i ndjen, ose i ndjen shumë larg këto objekte kulti të besimit orthodhoks. Por unë mendoj, se nuk duhet parë në këndvështrimin, se këto i përkasin një besimi dhe unë jam i një besimi tjetër dhe nuk më interesojnë, edhe nëse prishen. Ato janë trashëgimi e kombit shqiptar, e popullit shqiptar dhe nëse nuk do të ekzistojnë, zhduket një histori shumë e madhe prej gati 1500 vjetësh, në mos edhe më tepër. Këto monumente po i humbasim dita ditës. Kemi humbur një sasi të madhe të artit të këtyre monumenteve. Përveç vjedhjeve nuk po restaurohen më. Kemi dhjetëra kisha, dhjetëra objekte, që nuk ekzistojnë më. Janë në lista, por nuk ekzistojnë fizikisht. Kjo po humb dhe pas ca vjetësh ndoshta nuk do të kemi më të tilla, siç nuk kemi më ikonostase në fushën e Myzeqesë. Do na ngelen vetëm fortifikimet militare, vetëm kalatë, kështjellat, që edhe ata po rrënohen, se nuk kemi mundësi t'i mbajmë. Kështu që trashëgimia kulturore është në një pikëpyetje shumë të madhe dhe e ardhmja e saj vihet në dyshim.

Marrë në mënyrë të sintetizuar nga DW


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›