E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një standard i ri në edukimin arsimor

Mimoza Sulaj/mësuese

-Të zhvillosh mendimin kritik të fëmijët në shkollë midis të tjerash do të thotë të  mësosh fëmijët të arsyetojnë, të kërkojnë fakte, të marrin parasysh mendimet e të tjerëve dhe të kuptojnë mendimet e të tjerëve, të vlerësojnë, si dhe të marrin vendime apo zgjidhen probleme të ndryshme. Të menduar kritik është kompleksi i shumë i gjykimeve, i cili nuk ndodh  në vakuum por mbështet në njohuritë e mëparshme.

Ka shumë studime, mendime, përkufizime për këtë temë. Duke u bazuar në studime të ndryshme  të  edukosh mendimin kritik te fëmijët në klasat fillore do të thotë gjithashtu të edukosh:

1. Si ata të jenë të hapur

2. Të mësojnë të respektojnë  të tjerët kur flasin apo diskutojnë

3. Të aftësosh fëmijët  për ti parë gjërat në këndvështrime të ndryshme.

4. T’i  inkurajosh  të pyesin për gjërat që ata nuk janë të qartë

5  T’u mësosh atyre vlerën e një gjykimi të drejtë dhe të vërtetë

Fëmijët arrijnë të mendojnë më mirë në mënyrë kritike nëse ata vlerësojnë dhe  gjykojnë mbi  mendimet e tyre dhe të tjerëve duke i  krahasuar ato dhe duke kërkuar alternativa për të arritur në konkluzion për një çështje të caktuar. Për të zhvilluar mendimin kritik një  rëndësi të madhe ka dhe marrëdhënia midis fëmijëve. Një fëmijë që të jetë kreativ duhet të ketë një mësuese kreative. Mësuesit që të promovojnë të tillë vlerë ju duhet të dalin jashtë librave, jashtë kornizave, jashtë tradicionales duke  zhvilluar imagjinatën te fëmijët  dhe duke i bërë ata të kuptojnë që për të zgjidhur një problem ka shumë rrugë, por duhet të mendosh fort dhe të shfrytëzosh të gjitha mundësitë. Të menduarit kritik është vlerë në tregun e punës. Asnjeri nuk do më sot  njohuri përmendësh apo njerëz që dinë të përgjigjen për gjithçka shumë mirë, por nuk zgjidh dot asnjë problem, që nuk kanë asnjë ide, që nuk argumentojnë dot një mendim. Sot kërkohen  njerëz praktikë dhe  kreativë. Tekstet, testimet, veprimtaritë e ndryshme duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë që të stimulojnë mendimin kritik. Të edukosh te fëmijët të menduarin kritik duket si diçka e pamundur, por studimet tregojnë që fëmijët në klasat fillore janë në moshën e duhur për ta bërë këtë. Çfarë duhet të bëjë një mësues në klasë për të zhvilluar të menduarin kritik te fëmijët? 

1. Të inkurajosh  fëmijët të pyesin

2. Duke i lënë fëmijët të vendosin vetë për gjëra të ndryshme.

Fëmijët e vegjël pëlqejnë iniciativat duke imituar dhe të rriturit si dhe dëshirojnë t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre. Kur është mundësia, ata duhen lejuar  të  vendosin vetë për gjëra të ndryshme në klasë që kanë lidhje me mësimin siç janë;  mjete, tabela,  apo ngjyrat që duhet të përdorin etj..Duke vepruar vetë, ata fillojnë  të kuptojnë që për të zgjidhur një problemë ka mënyra të ndryshme dhe vetëm pas një gjykim  të plotë arrihet përfundimi më i mire.

3. Të lejosh fëmijët të bëjnë gabime

Është e vështirë të shikosh një fëmijë që merr një vendim dhe me pas dështon. Por nëpërmjet gabimeve fëmijët mësojnë si të mendojnë më mire dhe gjykojnë më  mire kur të marrin përsëri vendime.

4. Lavdëro fëmijët për përpjekjet e tyre

5. Bëj pyetje që nuk kërkojnë vetëm përgjigje me  ‘po’ ose ‘jo’

Bëj pyetje të ndryshme që kërkojnë përgjigje të menduara dhe gjykuara më parë nga fëmijët. Këto lloj pyetjesh i  bëjnë fëmijët të mendojnë në mënyrë kritike. Kjo mund të kërkojë pak kohë derisa ata të  mësohen,  por kur arrihet zhvillon imagjinatën  dhe mendimin kritik te  fëmijët e vegjël.

6. Lexo  me zë të lartë në klasë dhe bëj pyetje rreth leximit

Librat janë mënyra më e mirë për të zhvilluar imagjinatën te fëmijët. Nëpërmjet leximit ata futen në botën  imagjinare si dhe mësojnë për vende të ndryshme. Duke dëgjuar se si mësuesja lexon, tek ata fillon të zhvillohet imagjinata si dhe mendimi kritik 

7. Bëhu modeli  i mendimit kritik në klasë

Fëmijët ndikohen shumë nga mësuesja. Kështu që fëmijëve duhet t’u jepet mundësia të shikojnë praktikisht si mësuesja i zgjidh problemet. Zgjidh probleme të ndryshme në klase duke ju treguar se si vepron  kështu që ata do të kuptojnë dhe mësojnë si të veprojnë kur duhet të zgjidhin apo vendosin për diçka. Për më tepër  gjatë aktiviteteve të ndryshme në orën e leximit apo gjuhës etj...paraqit situata që përmbajnë kontradiktë apo mospërputhje të dhënash për të stimuluar të menduarin kritik. Si konkluzion , sipas studimeve, të menduarit kritik mund dhe duhet promovuar që në klasat fillore pasi zhvillon aftësitë njohëse, bashkëpunimin, kreativitetin si dhe motivon fëmijët. Të menduarit kritik, promovon  idetë dhe mendimin nga këndvështrime të ndryshme, duke i bërë fëmijët të gjykojnë drejtë dhe  siç duhet,  të marrin vendime të zgjuara dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›