E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të fortit” shtrëngojnë rrethin

24-03-2013 / Nga Dush Gashi

Një konkurs, për kushtet tona bukur  “i madh”, ka ngritur në këmbë Mitrovicën me rrethinë. Katër mijë njerëz janë paraqitur në sportelet e spitalit rajonal “Sami Haxhibeqiri”, secili me shpresë se mos do t’i shkrepë fati e të bëhet njëri ndër ata 140 punëtorët e rinj, sa ishin kërkuar.  Edhe sikur gjithçka të shkonte sipas një rendi të përkryer, 3860 sish do të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre të dëshpëruar pas mbylljes së konkursit. Rasti e deshi që po në këtë vend, për herë të dytë për një javë, t’i paraqesë këto shifra: rajoni i Mitrovicës, sipas të dhënave të Qendrës Rajonale të Punës, ka 60 mijë të papunë, ndërsa 42 për qind e familjeve nuk kanë asnjë të punësuar. Ata, pra nuk e kanë komoditetin të zgjedhin, as të presin. Duhet shfrytëzuar secilin rast të mundshëm, edhe atëherë kur ndoshta paratë për dokumente e për rrugë duhet t’i marrin hua, gjë që, në gjendjen e tyre, nuk është larg mendsh të ndodhë me të vërtetë. Ata duhet të shpresojnë, edhe atëherë kur gjasat për punësim janë gati se kurrfare.
Edhe me kaq, ky tregim është mjaft i trishtueshëm. Por, për fat të keq, fundi i tij nuk është këtu. Në këso gjendjeje, as  “të fortit” e këtij vendi, të cilët po tentojnë të kontrollojnë gjithçka, nuk e kanë komoditetin që gjërat e njëfarë konkursi atje në Mitrovicë t’ia lënë rastit. Ata, me gjasë, kanë kërkuar që, me listë, në punë të merren njerëzit e tyre. Mbase e tëra edhe do të përfundonte po kështu, sikundër që - siç e pranojnë vetë zyrtarët e lëmit të punës – rëndom edhe ndodh kështu, dhe zërat ankues të atyre që në këtë mënyrë do t’u bëhej e padrejtë, do t’i merrte era. Por, këtë herë diçka nuk shkoi si duhet. Sipas Halit Baranit, kryetarit të Qendrës Rajonle të KMDLNj-së në Mitrovicë, rëndom mirë i informuar dhe në objektivitetin e të cilit s’kemi arsye të dyshojmë, edhe anëtarët e komisionit për pranim, edhe mjekët e punësuar në spital i kishin të preferuarit e tyre për t’i pranuar në punë. Madje, po sipas Baranit, disa prej tyre tashmë edhe ishin njoftuar se janë pranuar, ndërsa, në intervistën e së mërkurës, janë ftuar edhe 6 punëtore, të cilat kishin filluar punën para gjashtë muajve!  Dorëheqja e drejtorit të spitalit, dhe e tërë anëtarëve të Komisionit për pranim, mu ditën kur duhej të intervistoheshin kandidatë, sipas kësaj, për fat të keq, nuk del të jetë bërë për arsye parimore, po për shkak se ata janë gjendur mes kudhrës e çekanit, presioneve të fuqishme nga lart, por edhe të atyre nga poshtë. Përndryshe, pse do të heshtnin si mumie, duke mos ia thënë asnjë fjalë të vetme publikut për shkaqet e dorëheqjes së tyre, sikur të ishin një sekt i fshehtë dhe kjo një nga çështjet, e cila u përket vetëm atyre dhe për të cilën heshtet përgjithmonë! Fati i katër mijë vetave, pra, ka qenë i shkruar që më parë! Në Mitrovicë përmendin edhe emra, por, në pamundësi që t’i verifikojmë, po themi  - nga “të fortit “. Ata jo vetëm që i kanë mashtruar kaq shumë njerëz, por, në fatkeqësinë e tyre, edhe i kanë plaçkitur! Pagesa e secilit prej tyre e nga 20 eurove për certifikatën e mjekut, pa të cilën nuk kanë mundur të konkurrojnë, po sipas KMDLNj-së, është shkelje e të drejtave të njeriut. Pastaj, atyre u është sugjeruar se ato mund t’i marrin në QKMF, por edhe në ndonjë ordinancë private, por kur ata kanë shkuar për t’i marrë ato në QKMF, atje u është thënë se nuk i japin! E qartë, apo jo! Matematika e thjeshtë thotë se rreth 80 mijë euro janë grumbulluar kështu! Siç duket, sa më shumë që flitet për luftën kundër korrupsionit, “të fortit” vetëm sa po na i shtrëngojnë rrathët e hekurt, me synim që një ditë të gjithëve të na e parashkruajnë fatin. Gjithnjë derisa ndonjë i tillë, më i rrezikshëm se ky i Mitrovicës, t’u pëlcasë në duar...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›