E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012, pranohet rritja e buxhetit të SHISH me 50 mln lekë

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje vetëm me votat e mazhorancës projektbuxhetin 2012 në parim, bashkë me kërkesën e komisionit të Ligjeve për një shtesë prej 50 mln lekësh për Shërbimin Informativ Shtetëror. Opozita e cilësoi buxhetin e vitit të ardhshëm si qesharak. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli vërejti dje gjatë mbledhjes së komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, se ky projektbuxhet nuk mbështet asnjë degë të ekonomisë dhe asnjë sektor jetik. Që në krye të herës ajo dhe deputetët e tjerë socialistë kërkuan që raportet e komisioneve respektive për projektbuxhetin 2012 të bëheshin në prani të përfaqësuesit të Ministrisë së Financave. Debati i deputetit socialist, Arben Malaj u fokusua tek stabiliteti i financave publike. Projektbuxheti i 2012-ës, në gjykimin e Malajt duhet të kishte përgjegjshmëri për mbështetjen e prioriteteve: arsimin dhe shëndetësinë. Gjithashtu të mos ketë përplasje mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura dhe qeverisë. “A do të vazhdojë thellimi i krizës institucionale duke abuzuar me buxhetin e tyre? Nuk është e vërtetë që opozita nuk ka propozuar”, - tha Malaj. Kreu i komisionit i konsideroi debatet e opozitës si demagogji, ndërkohë që po sipas tij, opozita nuk ka prurë në komision një alternativë të vetme në lidhje me projektbuxhetin 2012. Ky i fundit kalon në parim në seancë plenare jashtë radhe ditën e premte.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›