E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale, 393 apartamente për 1300 të pastrehë në kryeqytet

Drejtoria e Strehimit Social do të bëjë përzgjedhjen e familjeve që përfitojnë. Për shkak të kostos, pallatet do të jenë pa ashensor dhe pa parking nëntokësor

Emanuela Sako
Projekti për strehimin social në Bashkinë e Tiranës do të përfshijë 393 apartamente për 1300 të pastrehë në kryeqytet. Apartamentet do të jenë gati në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa gjatë kësaj kohe shtresat në nevojë të përcaktuara nga Bashkia mund të aplikojnë. Burime nga Njësia e Menaxhimit të Projektit pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se tashmë zbatimi i projektit pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë është në fazat e para. Aktualisht po kryhet pastrimi i 15 mijë metrave katrorë të zonës ku do të ndërtohen pallatet dhe menjëherë do të fillohet nga puna. Punimet për ndërtimin e banesave sociale do të zgjasin përreth 18 muaj dhe do të përfundojnë në fund të 2010-s. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Ndërtesat

Projekti parashikon të ngrihen 4 blloqe banimi me 393 apartamente. Dhomat do të jenë të tipit garsoniere, por parashikohet të ketë banesa më të mëdha në bazë të numrit të familjarëve që do të jetojnë në to. Kështu, përveç garsoniereve, apartamentet e tjera do të jenë 2 + 1 apo 3 + 1. Pallatet do të jenë 6-katëshe, ku kati i parë do të jetë për shërbime të ndryshme, si kopshte, çerdhe, dyqane ushqimesh, veshjesh etj. Për shkak të kostos së lartë që kërkon ndërtimi i pallateve, këto ndërtesa nuk do të kenë ashensor dhe as parking në bodrumin e pallatit. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas dhe në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit.

Punësimi

Sipas Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU),
katet e para do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Të gjithë familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar qiranë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës.

Projektet që parashikon Bashkia për strehimin

Në kuadrin e këtij programi, Bashkia e Tiranës, përveç ndërtimit të banesave të reja, konsideron si prioritet të sajin kthimin e një baze asetesh në banesa sociale që do të jepen me qira ose shiten me kosto të ulët për qytetarët e pastrehë, të cilët kanë kërkuar të trajtohen sipas programit të parashikuar në këtë ligj. Kjo do të mundësohet nëpërmjet identifikimit dhe studimit të plotë të ndërtesave, banesave të cilat rezultojnë të paprivatizuara, pjesë e Listës së Inventarit të Pronave të Paluajtshme e që do të përshtaten në banesa sociale në ndërthurje me planet e veprimit trevjeçare dhe studimet urbanistike pjesore. Seleksionimi do të bëhet për çdo trevjeçar, ku disa objekte me destinacion tjetër do të kthehen, komplet ose pjesërisht, në banesa duke zbatuar projektet e duhura për transformimin e objekteve të sipërpërmendura, të cilat mund të jenë ndërtesa të vogla, të pajisura me kritere kursimi energjetik dhe kosto të ulët mirëmbajtjeje. Trevjeçari i parë (2007 – 2009) i programit do të përbëjë bazën nga e cila do të mund të arrihen objektivat e parë konkretë dhe do të projektohen objektivat afatmesëm (2010 – 2012) dhe afatgjatë (2013 – 2017).

Financimi për apartamentet, Bashkia vetëm 35.3 për qind të kostos

Projekti synon të adresojë problemin e strehimit të familjeve të pastreha të qytetit të Tiranës dhe pritet të krijojë zgjidhje strehimi nëpërmjet ndërtimit me kredi të disa apartamenteve sociale me qira. Objektivi i Bashkisë së Tiranës është ndërtimi i 393 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me Vendim Nr.73, datë 10.11.2006, i hapi rrugën ndërtimit të tyre duke miratuar listën e transferimit të disa pronave të paluajtshme shtetërore për t’u përdorur për ngritjen e banesave sociale. Bazuar në Marrëveshjen e Nënhuasë, CEB-i do të marrë pjesë në financimin e Projektit duke mbuluar 60% të kostove totale të përshtatshme për realizimin e tij, ndërsa pjesa tjetër e kostove do të mbulohet me 35.3% nga Bashkia e Tiranës dhe 4.7 % nga Buxheti i Shtetit, (Ministria e Financave), e cila, sipas Marrëveshjes së Nënhuasë të nënshkruar do të mbulojë TVSH-në, si dhe do të marrë përsipër të përballojë pagesat e interesave për fondet e kredisë së disbursuar për Bashkinë, sipas kërkesës së saj.

Përfituesit e parë, të cilëve u janë premtuar banesat nga Bashkia

Familjet që jetojnë në ndërtesën e ish-Uzinës së Autotraktorëve do të jenë të parët që do të përfitojnë strehim nga projekti i Bashkisë për të pastrehët në kryeqytet. Premtimi ka ardhur nga Bashkia e Tiranës, e cila ka siguruar se të gjithë banorët që jetojnë në kushte tejet të vështira në ish-Uzinën e Autotraktorëve do të përfitojnë një banesë nga Bashkia e Tiranës. Kështu, të gjitha familjet që jetojnë në këtë ndërtesë, që është jashtë kushteve minimale të jetesës, do të strehohen në 393 apartamentet që pritet të fillojnë të ndërtohen. Në këtë ndërtesë janë mjaft familje që kanë ardhur nga zonat e largëta të vendit dhe prej disa vitesh janë vendosur aty. Ata jetojnë në kushte tepër të vështira dhe nuk kanë mundësi tjetër strehimi. Një pjesë e qytetarëve kanë zënë godina shtetërore për t’u strehuar. Për këtë rast Bashkia ka vendosur që ata të bëhen pronarë të objekteve që kanë zënë, por duke iu nënshtruar të gjitha procedurave të aplikimit. Në të kundërt, ata nuk do të bëhen pjesë e skemës së përfitimit dhe përzgjedhjes që do të bëhet nga Drejtoria e Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Zyrtarisht, këta banorë njihen si të jashtëligjshëm në këto banesa, pasi ndërtesa është pronë shtetërore dhe projekti parashikon ndërtimin e apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Në Drejtorinë e Strehimit Social pranë Bashkisë së Tiranës deri tani janë dorëzuar rreth 3372 formularë, mes të cilëve do të bëhet përzgjedhja në bazë të kritereve të përcaktuara.

Investimi

60 për qind investime të CEB-it
40 për qind investime nga Bashkia e Tiranës

Ndërtimi

4 blloqe pallatesh do të ndërtohen në zonën e Shkozës
1 + 1 garsoniere për familjarët apo çiftet e reja
2 + 1 apartamente banimi për familjet e mëdha
3 + 1 apartamente banimi për familjet më të mëdha

Pallatet

6 – katëshe, si ndërtesë në total
1 kat për shërbime të tjera (kopshte, çerdhe, dyqane etj)
Ndërtesat do të jenë pa ashensorë ( për shkak të kostos së lartë)
Ndërtesat nuk do të kenë parkinge të nëndheshme për automjetet

Kërkesat dhe kapacitetet

1297 të pastrehë do të përfitojnë banesa
3372 formularë janë dorëzuar pranë Drejtorisë së Strehimit Social

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›