E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela, besnik me të kuqtë

Mesfushori shqiptar i Energi Kotbusit nënshkroi edhe për dy vjet të tjerë. Fantazisti: “E ardhmja ime e sigurt, i përqendruar për mbijetesën”

Energi Kotbus nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Ervin Skelën përpara ndeshjes së rëndësishme kundër Bokumit (luan Mërgim Mavraj) të programuar për ditën e shtunë.
Kushti i hapur mediatik i Ervin Skelës i disa ditëve në parë (20 shkurt), se nëse drejtuesit e Energi Kobtusit nuk do të nënshkruanin me të brenda një afati prej 14 ditësh (afati përfundonte), ai do të largohej nga ish-skuadra e Gjermanisë Lindore me përfundimin e sezonit, duket se ka dhënë efektin e duhur.
Kontrata e re e fantazistit të Kombëtares shqiptare skadon në qershor të vitit 2011, por sipas mediave gjermane, brenda saj ka një kusht: është e vlefshme vetëm nëse Kotbus luan në Bundesligë.
Vetë 32-vjeçari Skela e ndien veten shumë të motivuar me nënshkrimin e kontratës përpara ndeshjes në transfertë me Bokumin.
“Unë e kam thënë gjithmonë që ndihem shumë mirë te Kotbusi. Tani kam siguri për të ardhmen time dhe tani mund të jem plotësisht i përqendruar në betejën për mbijetesë në Bundesligë”, - tha Skela, i cili me firmosjen e kontratës tregoi një shenjë të qartë besnikërie për klubin e tij të tetë gjerman në karrierën e tij.
Skela, i cili më parë ka luajtur edhe me Eintrahtin e Frankfurtit, Arminia Bielefeldin e Kaisersaluternin, u transferua nga skuadra italiane e Aksolit te Energi Kotbusi në janarin e vitit 2006.
Trajneri i Energi Kotbusit, Prasnikar, ka mundur t’u japë një kondicion fizik të shkëlqyer lojtarëve gjatë fazës dimërore. Ervin Skela tha: “Kaq në formë fizikisht si tani, nuk kam qenë kurrë”.
Menaxheri i Energi Kotbusit, Shtefën Hajdrish, i cituar nga mediat gjermane, pohoi se me firmosjen e Skelës kishte zgjidhur një nga pikëpyetjet më të mëdha të Kotbusit të sezoneve të ardhshëm, pavarësisht se Ervini kishte kërkuar më parë një kontratë 3-vjeçare. “Ne dëshirojmë të ndjekin rrugën që kemi bërë edhe sezonet e kaluara. Unë shpresoj shumë që Kotbusi me Skelën të qëndrojë edhe për tri vitet të tjera në Bundesligë. Nëse ne do të qëndrojmë edhe këtë sezon, atëherë 17 ndeshjet e sezonit të ardhshëm në shtëpi do të jenë si një ditë feste për rajonin”, - tha Hajdrish për agjencinë e lajmeve gjermane, “DPA”.
Pas shtatë pikëve të grumbulluara në tri ndeshjet e fundit, Energi Kotbus renditet në vendin e 14-të. Në ndeshjen e fundit, Energi Kotbus fitoi 2-1 me Verder Bremenin.
“Suksese si ato kundër Verder Bremenit nuk motivojnë vetëm lojtarët. Ne duam të mbajmë këtë linjë. Si ne, ashtu dhe Bokumi ndodhemi në të njëjtën situatë. Ne duhet të guxojmë të fitojmë atje”, - theksoi menaxheri Hajdrish.
Edhe trajneri i Kotbusit, Bojan Praniskar, pas tri ndeshjeve pa humbje, seria më e mirë pozitive gjatë këtij sezoni, u shpreh i bindur për rezultat pozitiv ndaj një kundërshtari me renditje më të dobët se Energi.
“Kundërshtari ynë i radhës, edhe pse luan në shtëpi, është në presion më të madh se ne. Bokum (vendi i 16-të) duhet të fitojë patjetër. Ky është një avantazh më i madh për ne”

20 gola

Në janar të vitit 2007, Ervin Skela u transferua te Energi Kotbusi nga Askoli i Serisë A në Itali. Në Bundesliga 1, Skela ka luajtur 157 ndeshje, duke shënuar 20 gola, tetë prej të cilëve për fanellën e Energi Kotbusit.

32 gola

Ervin Skela është shënuesi më i mirë shqiptar në Gjermani, në të dyja Bundesligat. Në Bundesligën 2, në 127 ndeshje të luajtura me katër ekipe të ndryshme, ka realizuar 32 gola, ndërsa në total me të tetë ekipet gjermane 52 gola.

10 gola

Me fanellën e ekipit Kombëtar shqiptar, mesfushori vlonjat ka realizuar 10 gola, të njëjtën kuotë që ka dhe Sokol Kushta e Igli Tare. Rekordin kuqezi e mban Alban Bushi me 14 gola, i ndjekur nga Altin Rraklli me 11 gola.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›