Banesat sociale, Bashkia e Tiranës nis në shtator përzgjedhjen e përfituesve
Emanuela Sako
Të gjithë personat që kanë aplikuar për përfitimin e banesave sociale me kosto të ulët do të mund të përzgjidhen në muajin shtator. Sipas burimeve pranë Bashkisë së Tiranës, gjatë kësaj periudhe kohore nuk është përzgjedhur asnjë familje. Por, me fillimin nga puna të komisioneve dhe të Këshillit Bashkiak të Tiranës, do të fillojë dhe përzgjedhja e aplikantëve. Ndërkohë që, ata që pretendojnë se plotësojnë kriteret e përfitimit kanë të drejtë të aplikojnë deri në momentin e përzgjedhjes së aplikantëve. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se aplikimet kanë vazhduar edhe në muajin gusht si për bonusin e qirasë dhe për banesat sociale që janë duke u ndërtuar në periferi të kryeqytetit. Aktualisht, specialistët po vazhdojnë punimet në ish- Uzinën e Autotraktorëve në Shkozë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, rreth një muaj e gjysmë më parë, u vendosën tarifat e reja që do të paguajë bashkia për familjet përfituese të bonusit të qirasë. Ndarja është bërë sipas zonave, ku ata do të përzgjedhin banesën me qira.
Familjet
Familjet që do të trajtohen me bonusin e qirasë janë të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi për të jetuar dhe për t’u strehuar. Por, ndryshe nga banesat sociale, banesa me qira do të përfitojnë të gjithë ata persona që Bashkia u ka prishur shtëpitë për shkak të zbatimit të projekteve të urbanistikës. Këta banorë nuk kanë qenë pjesë e shpronësimeve që janë bërë në zonat ku jetonin. Kështu, kësaj liste aplikimesh pritet t’i shtohen mjaft banorë të tjerë, të cilëve do t’u prishen shtëpitë nga zbatimi i projekteve të Bashkisë siç është ndërtimi i Unazës së Madhe që kap një terren mjaft të gjerë të Tiranës, ku ka një numër popullsie dhe prishje të ndërtesave tepër të lartë. Kjo kategori familjesh dhe të tjerë që u janë prishur banesat më parë, kanë të drejtë të aplikojnë menjëherë pas prishjes së ndërtesave ose më vonë, kur ata e shohin të arsyeshme.
Tarifat
Specialistët e bashkisë kanë bërë ndarjen në zona të kryeqytetit për të gjithë përfituesit e bonusit të qirasë. Përkatësisht ndarja bëhet në zonë të parë, ose zonën e kryeqytetit që përfshihet territorit brenda Unazës së Tiranës; zona e mesme, që është zona jashtë Unazës së Tiranës; zona periferike që përfshin gjithë territorin në largësi të qendrës së Tiranës. Në bazë të kësaj ndarje edhe qiraja është e ndryshme, ku në qendër është më e lartë dhe në periferi më e ulët. Për këtë arsye të gjithë familjarët që do të aplikojnë pranë bashkisë dhe do të gjejnë një shtëpi në qendër do të paguajnë më tepër dhe do të përfitojnë më tepër para në dorë se sa dikush tjetër që do të gjejë një shtëpi në periferi të Tiranës. Kështu, tarifat e propozuara janë nga 9 mijë lekë që ka qenë më parë për zonën e qendrës së Kryeqytetit është propozuar të jetë deri në 12.500 lekë. Ndërsa për zonën jashtë Unazës së Tiranës, tarifa maksimale e përfitimit me të cilën është operuar deri më tani është 7 mijë lekë dhe pritet të bëhet 8.5 mijë lekë. Ndërsa në periferi, ndryshe nga zonat e tjera, tarifa e përfitimit do të pësojë ulje, nga 7 mijë lekë që është aktualisht, pritet të bëhet 6 mijë lekë.
25 Gusht 2009