E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit,brenda javës analizat për dy fëmijët

 

Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar dje buletinin e fundit për numrin e rasteve të prekura nga virusi i gripit të derrave.  Aktualisht kemi 20 persona me AH1N1, ndërkohë që pritet konfirmimi edhe për dy fëmijë të moshës 5-14 vjeç, analizat e të cilëve janë dërguar në Laboratorin e Referencës në Rumani.
ISHP ka analizuar deri në datën 23 gusht 459 mostra të marra në të gjithë vendin. Numri më i madh i mostrave është marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, 230 të tilla, 60 mostra janë marrë në Spitalin Pediatrik, 38 nga Poliklinikat në Tiranë. Grupmosha 25-44 vjeç shënon më shumë raste të dyshuara. Vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme, duke pasur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grupmoshë. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në vendin tonë, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara. Për 20 rastet e konfirmuara, sipas buletinit të ISHP-së, rezulton se janë të grup moshave 15-24 vjeç, 10 të tjerë 25-44 vjeç dhe vetëm 2 raste janë të grupmoshës 45-59 vjeç. Nga të dhënat e buletinit nr. 9, vihet re se shumica e rasteve i përkasin moshave aktive. Disa prej të infektuarve nga gripi i derrave në vendin tonë nuk e kanë kaluar sëmundjen pa komplikacione. Përkundër deklaratave të drejtuesve të ISHP, buletini epidemiologjik dëshmon për të kundërtën. Duke iu referuar shenjave dhe sindromave klinike të paraqitura në këtë dokument të ISHP, rezulton se jo pak pacientë kanë pasur komplikacione, madje njëri prej tyre ka kaluar në insuficiencë respiratore akute. “Trakebronkiti është vënë re në 6 raste, Bronkiti difuz i pranishëm në 2 raste; Bronkopneumoni intersticiale në 2 raste”, thuhet në buletinin epidemiologjik të kësaj jave. Ndërkaq, sqarohet se medikamenti tamiflu është përdorur vetëm në 4 pacientë. “Tamiflu ka përmirësuar menjëherë shenjat e sëmundjes që pas ditës së dytë të përdorimit. Rastet kanë qenë pa temperaturë në vazhdim të sëmundjes veç atyre që kanë pasur bronkit dhe pneumoni”, thuhet në buletinin e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij, personat që kanë pasur këto sëmundje shoqëruese kanë shfaqur komplikacione. “Tamifluja te një pacient është përdorur për 7 ditë, ndërsa për dy të tjerë nga 5 ditë. Ndërsa për rastet e tjera janë përdorur antibiotikët”, saktëson buletini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›