Emigrantët, radhë deri në 3 km për të kaluar kufirin grek
GJIROKASTER/KORÇE - Radhë të gjata të emigrantëve shqiptarë në pritje për të kaluar në pikat doganore të Kakavijës e Kapshticës. Mbi 10 mijë emigrantë janë larguar drejt Greqisë gjatë 14 orëve të fundit, përmes pikës kufitare të Kakavijës. "Aktualisht shërbimi doganor punon me 8 sportele në dalje dhe 4 në hyrje, sikurse dhe autoritetet doganore greke, që punojnë me 9 sportele gjithsej, në hyrje dhe dalje", thanë burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës. Sipas të njëjtit burim, nga ora 05.00-07.00 të ditës së diel, si pasojë e përpunimit të 45 autobusëve të linjës ndërkombëtare, rreth 700 emigrantë kanë pritur mbi dy orë në territorin shqiptar, gjë që ka shkaktuar autokolonë me gjatësi deri në 1.5 kilometra. Situata është normalizuar gjatë orëve të paradites. Në qarkun e Gjirokastrës, krahas pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, funksionon me kohë të plotë dhe pika kufitare "Tre Urat", rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët. Kthimi i emigrantëve në Greqi krijoi radhë të gjata dje edhe në hyrje të pikës doganore të Kapshticës. Që në mëngjes u shfaq radha dhe ajo vazhdoi të ishte e pranishme deri pasdite. Sipas burimeve pranë policisë kufitare në Kapshticë, gjatë 24 orëve të fundit janë përballur afro 6 mijë emigrantë. Por gjatë kryerjes së procedurave doganore ata kane mbetur në radhë për mëse tre orë. Dje ishte edhe fluksi më i madh. Vargu i mjeteve në mesditë i kalonte tre kilometrat. Shkak i kësaj situate mësohet se ishte personeli i reduktuar në doga-nën greke. Pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, është shtuar edhe një sportel, duke e çuar në tre numrin e tyre. p.n/j.gj