E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Magjistraturës, ndryshojnë rregullat e pranimit

Këshilli Drejtues pranon kërkesën e ministrit të Arsimit

Laureta Rryçi

Tiranë - Shkolla e Magjistraturës, vetëm pak ditë pasi kishte shpallur zyrtarisht të hapur konkursin, vendos të ndryshojë sërish kriteret e pranimit. E gjitha kjo mësohet se ka ndodhur për shkak të kërkesës së disa ditëve më parë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka vendosur ta pranojë kërkesën e Bejës duke përjashtuar kështu nga gara për këtë vit të gjithë studentët që kanë mbaruar me sistemin e Bolonjës, por që nuk kanë marrë ende Diplomën e Nivelit të Dytë. Në të njëjtën kohë, rregulla të reja janë përcaktuar edhe për të gjithë ata që kanë mundur të marrin titullin “Jurist” jashtë shtetit. Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Drejtues mësohet se ka vendosur t’i kërkojë zyrtarisht ministrit specifikimin e diplomave sipas sistemit të diplomave. Mësohet se kjo është bërë për të mos u ndryshuar herë tjetër më kriteret brenda pak ditësh, ndërkohë që një pjesë e mirë e këtyre kandidatëve ka kryer procesin e regjistrimit.
Mbledhja
Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, në mbledhjen e zhvilluar, ka vendosur që në radhën e kritereve të pranimit të studentëve për konkurrim në Shkollën e Magjistraturës, për studentët e diplomuar në vitin 2009 që regjistrohen për konkurrimin në Shkollën e Magjistraturës duhet të jenë të diplomuar si “juristë” në një fakultet drejtësie, publik apo jopublik të akredituar, brenda ose jashtë vendit. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5-vjeçar (3+2). Studentët që janë diplomuar në fakultete drejtësie jashtë vendit duhet të paraqesin për regjistrim edhe dokumentin e ekuivalentimit të diplomës të lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës së Republikës së Shqipërisë. Po sipas vendimit më të fundit do të regjistrohen për konkurs edhe studentët e diplomuar si “juristë” në vitin 2009 në programin minimal 4-vjeçar, me 240 kredite, kur diploma e fituar prej tyre është nominuar shprehimisht si Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë, (DIND), ose kur diplomat e tyre janë të vërtetuara si të tilla nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sakaq, në mbledhjen e fundit, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka vendosur t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Arsimit si do t’i specifikojë diplomat që do të jepen sipas programit të Bolonjës.
Shkresa
Juristët që kanë nisur studimet e larta në vitin 2005-2006 nuk mund të konkurrojnë këtë vit për në Shkollën e Magjistraturës. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i ka kërkuar zyrtarisht kësaj shkolle që në konkursin që do të zhvillohet këtë vit të mos pranohen këto kandidatë pavarësish rezultateve që mund të kenë arritur në shkollë. E gjitha kjo për shkak se ata kanë studiuar sipas programit të Bolonjës dhe për rrjedhojë u duhet të marrin edhe Diplomon e Nivelit të Dytë, që është dyvjeçare dhe më pas të konkurrojnë për në Magjistraturë. E thënë ndryshe, këta studentë do të bëjnë gjithsej shtatë vite universitet plus Magjistraturën. Ndërsa ata studentë që kanë mbaruar me sistemin e vjetër iu bie të bëjnë vetë gjashtë vite gjithsej për të marrë më pas titullin prokuror ose gjyqtar. Sistemi i ri i penalizon ata duke iu nënshtruar një tjetër konkurrimi atij për Diplomën e Nivelit të Dytë. Madje edhe gjatë kësaj faze ata duhet të marrin numrin e nevojshme të krediteve për t’u vlerësuar maksimalisht në rezultatin përfundimtar.

Kërkesa e Bejës penalizoi studentët

Ministri i Arsimit e ka informuar bordin drejtues të Magjistraturës se këtë vit në Fakultetin e Drejtësisë diplomohen studentët e parë që përfundojnë studimet sipas sistemit të Bolonjës. Sipas tij, këto programe studimi janë hapur si programe të ciklit të parë me kohëzgjatje normale katër vite dhe si maksimum me 240 kredite. Për pasojë, diplomat që ata kanë marrë nuk u japin atyre të drejtën të konkurrojnë për një diplomë të nivelit të tretë, siç është studimi i diplomës së tretë (Shkolla e Magjistraturës). Për t’u regjistruar në programet e ciklit të tretë, “Doktoraturë”, “Master i Nivelit të Dytë”, specializime ose Magjistraturë, kandidati duhet të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë, ose diplomë tjetër të fituar jashtë shtetit, por ekuivalente me to e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e vendit tonë. Çdo diplomë tjetër nuk do të ishte e vlefshme për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve. Studentët që diplomohen në këto programe studimi do të mund të vijojnë studimet e tyren në ciklin e dytë dhe t’i përfundojnë ato pasi të kenë realizuar 60 kredite.

Provimi

Numri i kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që do të ndjekin Shkollën e Magjistraturës për periudhën 2009-2012 do të jetë 8 (tetë) vende dhe në profilin prokuror do të jetë 4 (katër) vende. Konkursi i pranimit të kandidatëve për magjistratë do të zhvillohet ditën e hënë, datë 14 shtator 2009, ora 08:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Regjistrimet do të kryhen gjatë periudhës 17 gusht - 04 shtator pranë sekretarisë mësimore të kësaj shkolle. Programi i pranimit përmban lëndët: E Drejtë Civile dhe Tregtare, E Drejtë Penale, E Drejtë e Procedurës Civile, E Drejtë e Procedurës Penale, E Drejtë Kushtetuese dhe E Drejtë Administrative, E Drejtë Familjare dhe e Drejta e Punës.

Programi që duhet mësuar dhe rregullat për provimin

Sipas burimeve zyrtare nga Shkolla e Magjistraturës, tërheqja e programit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) bëhet pranë sekretarisë mësimore të shkollës. Gjithashtu, në bazë të Ligjit Nr. 9414, datë 20.05.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8136 datë 31.07.1996 ‘Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipëris뒔, konkursi do të zhvillohet vetëm në një ditë dhe me shkrim. Për të testuar jo vetëm njohuritë me karakter profesional, por edhe ato të kulturës së përgjithshme dhe të inteligjencës e të mënyrës së të shkruarit, teza do të përmbajë pyetje përshkruese, ese, teste të zakonshme inteligjence si dhe raste praktike. Fitues shpallen kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të pikëve në rend zbritës deri në plotësimin e numrit fitues të përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe prokurori i Përgjithshëm në total për të dyja profilet. Për të bërë zgjedhjen e profilit që duan të ndjekin, e drejta e zgjedhjes i jepet të parit kandidatit me rezultat më të lartë dhe vazhdon në mënyrë zbritëse deri në zgjedhjen e kandidatit të vendit të fundit. E drejta e zgjedhjes ushtrohet në mënyrë publike dhe shoqërohet me nënshkrim.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›