E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria, 258 fëmijë me helmime dhe viroza të stinës



Spitali i Pediatrisë në QSUT ka pasur një fluks të madh të vegjlish me probleme të stinës. Numërohen rreth 258 raste gjatë 24-orëshit të fundit në Pediatrinë e kryeqytetit, ku mjekët theksojnë se ka pasur raste të helmimeve nga ushqimet dhe virozave të stinës. Sipas mjekëve pediatër të QSUT-së, fëmijët më të prekur janë ata të moshës 0 deri në 3 vjeç. Shkak për krijimin e kësaj situate është bërë ndryshimi i temperaturave dhe rritja e tyre ka sjellë edhe fluks të virozës te fëmijët e vegjël. Mjekët shprehen se shfaqja e virozave të ndryshme si dhe helmimet nga ushqimet, ndodh sidomos të fëmijët e sapo kthyer nga plazhi, të cilët kanë temperaturë të lartë, të vjella si dhe heqje barku. Këto probleme janë bërë shqetësuese për prindërit. Mjekët bëjnë apel që të shmangen daljet në oraret e pikut të vapës dhe prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e ushqimeve që u japin fëmijëve. Në urgjencën e Pediatrisë ka një fluks mjaft të madh pacientësh dhe një mbingarkesë të madhe pune.
Mjekët thonë se e gjithë kjo mbingarkesë e rasteve në urgjencë, vjen si pasojë e shmangies së shërbimit ambulator, i cili funksionon deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Ajo çfarë këshillojnë mjekët pediatër, është shmangia e daljes së fëmijëve në orët e pikut, nga ora 10:00 e paradites deri në 18:00 të mbrëmjes dhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve të përgatitura në shtëpi. Temperaturat e larta kanë qenë shqetësuese edhe për të rriturit apo të moshuarit që janë paraqitur në urgjencën e QSUT.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›