Banesat të pasigurta
Qysh kur ka nisur procesi për trajtimin dhe legalizimin e ndërtimeve pa leje, Komuna e Prishtinës është përballur me reagime të shumta.
Përveç që është përcjellë me kontestime të shumta mbi bazën ligjore për këtë proces, tash është ngritur edhe një çështje tjetër - ajo e sigurisë së objekteve, të cilat janë ndërtuar pa lejen e Komunës, e që kanë aplikuar për një të tillë.
Iniciativa për Progres (INPO), organizatë që monitoron punën e Komunës, ka ngritur shqetësime të premten lidhur me masën e sigurisë së objekteve, të cilat janë ndërtuar në qytetin e Prishtinës.
Sipas INPO-s, Komuna e Prishtinës, e cila tashmë ka filluar me fazën e lëshimit të lejeve për legalizimin e objekteve të para, duhet së pari të merret me çështjen e sigurisë së objekteve, të cilat do të legalizohen.
“Komuna ka dështuar që të sigurojë se objektet, të cilat i legalizon, janë të sigurta për përdorim nga qytetarët, sikurse është parashikuar me kërkesat e sigurisë në Ligjin për ndërtim dhe Rregulloren komunale për trajtimin e objekteve pa leje”, thuhet në një komunikatë të INPO-s. “Komuna e Prishtinës nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për të bërë në detaje inspektimin e gjithë objekteve që kanë aplikuar për legalizim”, theksohet në këtë komunikatë.
INPO vlerëson se numri i madh i objekteve që kanë aplikuar për legalizim, nuk mund të përdoret si arsyetim i justifikueshëm për mosinspektimin e këtyre ndërtimeve.
Për më tepër, sipas kësaj organizate, Komuna nuk ka njoftuar se ka ndonjë plan të qartë se si do ta adresojë këtë problem me rëndësi. “Në këtë mënyrë, kjo problematikë mbetet në përgjegjësi të investitorëve të objekteve dhe stafit të tyre, interesat e të cilëve jodomosdoshmërisht janë siguria e qytetarëve”, vlerëson INPO, e cila i bën thirrje Komunës që urgjentisht të adresojë çështjen e sigurisë së ndërtimeve pa leje dhe t’i sigurojë qytetarët se objektet që legalizohen, janë të sigurta për përdorim.
Siguria e objekteve, të cilat kanë aplikuar për leje, mbetet shqetësim edhe për ekspertët e ndërtimtarisë. Sipas Hamdi Sylejmanit, udhëheqës i Shoqatës së konstruktorëve ndërtimtarë të Kosovës, shumica e ndërtimeve pa leje në Prishtinë nuk i plotësojnë as kushtet minimale për qëndrueshmëri mekanike dhe stabiliteti.
“Shpresoj që kurrë të mos ketë ndonjë tërmet të shkallës më të lartë, se Prishtina do të shndërrohet në një katastrofë në ato pjesë ku ka ndërtime, të cilat janë ndërtuar pa asnjë kriter”, thotë Sylejmani për Express.
Përveç ndërtimit, thotë ai, ekspertët komunalë do të duhej të kenë kontroll edhe mbi kualitetin e materialeve të vendosura në këto objekte. Por, sipas Sylejmanit, tash është shumë vonë që këto gjëra të verifikohen, në mënyrë që objektet të jenë të qëndrueshme dhe të sigurta për banim.
“Asnjë objekt nuk është i verifikuar për siguri. Tash është e pamundur të bëhet një gjë e tillë, pasi që duhet të gropohet toka, që të bëhet kontrollimi në detaje, e shumë e shumë gjëra të tjera që vërtetojnë masën e sigurisë”. Andaj, legalizimi i këtyre objekteve pa një vlerësim profesional dhe të paanshëm, paraqet rrezik të madh për qytetarët”, thotë ai.
Përgjegjësia për të siguruar se objektet e ndërtuara janë në pajtim me kërkesat e sigurisë, është e Komunës. Kjo përgjegjësi është e specifikuar në njërin nen të Ligjit për ndërtim dhe të rregullores për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Aty thuhet se do të angazhohen ekipet profesionale në terren, për shqyrtimin e përmbushjes se kritereve teknike të parapara me manualin për kriteret minimale teknike të objektit, i cili i nënshtrohet trajtimit. Por, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka konstatuar se Komuna e Prishtinës, Rregulloren për legalizimin e ndërtimeve pa leje e ka nxjerrë pa bazë ligjore.