E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxehtë me çmime

Sezoni veror, përveç temperaturave të larta, do të jetë i nxehtë edhe për nga çmimet e fluturimeve me aeroplan. Mesatarja e një bilete kthyese është afër 500 euro për vendet si Gjermania e Zvicra. Çmimet nuk kanë lëvizur, pavarësisht faktit se sivjet u rrit konkurrenca. Kompanitë ajrore arsyetohen me mungesën e pasagjerëve. Nga Agon Sinanaj më 11 qershor 2011 në ora 08:20

Bileta kthyese për vendet si Gjermania e Zvicra edhe sivjet do të arrijë afër 500 euro. Së paku kjo është oferta fillestare që e kanë postuar në çmimoret e tyre me tepër se 20 kompani ajrore që operojnë në Kosovë.
Në fakt, kështu ishte edhe sezonin e kaluar, veçse dallimi është se sivjet konkurrenca është rritur e çmimet kanë mbetur të njëjta.

Kompanitë i arsyetojnë çmimet e larta me atë se nuk ka numër të mjaftueshëm të pasagjerëve. Ndërkohë, jozyrtarisht ato pranojnë se Kosova ka çmimet e biletave me të shtrenjtat në rajon.

Si zakonisht, dy vendet me fluksin më të madh të udhëtarëve, Gjermania e Zvicra, edhe sivjet do të prijnë për nga çmimet e shtrenjta. Mesatarja e biletës kthyese për Gjermani do të sillet nga 221.99 euro deri në 477.99 euro, ndërkohë që për Zvicër çmimi maksimal do të jetë 411.99 euro.

Sa më afër sezonit veror, çmimet rriten. Shembull, aktualisht çmime i një bilete kthyese për qytetet italiane kushton 190 euro, kurse gjatë sezonit në çmimoret e kompanive vlen çmimi 220 euro. Kështu është edhe me vendet tjera.
Përkundër kësaj, kompanitë ajrore e mohojnë se çmimet e biletave janë të larta.
Albion Idrizi, drejtor i agjencisë “Air Prishtina” për Kosovë, madje thotë se ato janë tepër të ulëta në këtë kohë. “Nuk ka çmime të larta në Kosovë. Unë mendoj se më tepër është iluzion sesa që ka çmime të shtrenjta në vendin tonë. Ne kemi ulur deri në 70 për qind çmimin e biletave”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse dikush do të rezervonte biletën një apo dy muaj më herët, mund ta marrë me çmimin 150 deri në 250 franga dhe ky çmim, thotë ai, nuk është i lartë.
Për më tepër, ai ka shtuar se kjo agjenci në çmimin e biletave po ashtu ka të përfshira të gjitha gjërat dhe pasagjeri nuk paguan bagazh dhe ushqimin në aeroplan.
“Tregu kosovar është shumë konkurrues dhe për këtë edhe ka rënie të çmimeve”, ka thënë Idrizi.
Ndërkaq, Naim Ejupi nga agjencia “Eurokoha” pranon se krahasuar me vitin e kaluar, nuk ka ndonjë dallim të madh në çmimin e biletave. Sipas tij, aktualisht bileta kthyese Prishtinë-Cyrih-Prishtinë me “Airberlinin” kushton rreth 250 euro, ndërsa me “Swiss” afër 350 euro.

Sidoqoftë, Ejupi thotë se çmimet nuk janë aq të ulëta sikurse po i promovojnë disa nga agjencitë turistike. “Ka kompani që i promovojnë çmime tjera, ndërkohë bileta e tyre shkon deri në 850 franga”, ka thënë Ejupi. Sipas tij, ka edhe prej kompanive që nuk janë të regjistruara fare në Kosovë, duke iu ikur kështu taksave.

Megjithatë, edhe pse jo zyrtarisht, ka edhe nga agjencitë turistike që pranojnë se Kosova ka biletat më të shtrenjta në rajon. Për këtë japin disa arsye, siç është problemi i vizave që po e ulë gjithnjë e më shumë numrin e pasagjerëve.
Për këtë arsye, si kompensim për numrin e vogël të udhëtarëve po e rrisin çmimin e biletës.

“Ne punojmë me humbje, sepse e kemi një aeroplan që ka 150 vende, e nuk i kemi aq udhëtarë. Ne si agjenci duhet të paguajmë aeroplanin për të gjitha vendet dhe kjo na ka shkaktuar humbje”, ka sqaruar pronari i një agjencie turistike.
Aktualisht janë 19 kompani ajrore që operojnë në Kosovë, por ky numër mund të ndryshojë varësisht prej sezonit veror.

Ndryshe nga agjencitë turistike, janë qytetarët ata që po e bartin barrën e lartë të këtyre çmimeve. Berat Balaj, i cili jeton në Frankfurt të Gjermanisë, thotë se biletat për Kosovë janë më të shtrenjtat në rajon. Ai kërkon nga institucionet që të ndërhyjnë në këtë punë.

“Biletat janë shumë të shtrenjta dhe duhet të bëhet diçka, andaj unë kërkoj nga rregullatori i konkurrencës që të ndërhyjë dhe të bëjë diçka”, ka theksuar Balaj.
Hall pothuajse të njëjtë ka edhe Ibrahim Ademi. “Këta të agjencive na mbytën, këta nuk i këqyrin interesat e qytetarëve, por vetëm të vetat. Kërkund në botë nuk luan bileta me 500 euro diferencë”, thotë Ademi.

Agjencitë turistike gjithashtu e shohin të nevojshme që Kosova të ketë një avio-kompani të veten, pasi kjo do të ndikonte pastaj në uljen e çmimit të biletave, por edhe do ta ndihmonte drejtpërdrejt shtetin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›