Bangladesh, digjen të gjallë 108 persona
Një zjarr gjigant i shkaktuar nga një qark i shkurtër u përhap me shpejtësi në qendrën historike të Dakas, kryeqytetit të vendit duke shkaktuar të paktën 108 të vdekur dhe qindra të plagosur. Flakët që përpinë të paktën 7 ndërtesa, shndërruan në tragjedi një festë martesore që zhvillohej në një tarracë dhe mes viktimave numërohen shumë gra dhe fëmijë. Zjarri goditi një nga lagjet më të populluara në qendrën historike të kryeqytetit dhe sipas informacioneve, ai u shkaktua nga shpërthimi i një transformatori elektrik në orën 22.30 me orën vendase. Flakët brenda një kohe shumë të shkurtër u përhapën me shpejtësi në një seri ndërtesash në pjesën e vjetër duke zënë në befasi dhe duke djegur të gjallë shumë persona. Flakët kishin arritur përmasa të paimagjinueshme para se zjarrfikësit të ndërhynin. “Në çatinë e një ndërtese po zhvillohej një martesë dhe ndoshta për këtë arsye numri i viktimave është kaq i lartë”, thanë autoritetet. Në katet e para të shumë dyqaneve që morën flakë shiteshin edhe lëndë kimike, një faktor ky që me siguri ka ndihmuar në fuqizimin zjarrit.
#