E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Opozita çoi krizën e brendshme në Bruksel

Intervista Veprimi në një moment kur kërkohej presion pozitiv për liberalizimin e vizave

Nevojat e ditës në tryezat politike nuk duhet të cenojnë procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në BE. Ky është qëndrimi që mban kryetari i Komisionit të Jashtëm parlamentar, Fatos Beja, në një intervistë për “Shqip”. Sipas tij, procesi i liberalizimit të vizave nuk mund të lëkundet nga çështje afatesh për standarde të improvizuara, por busull orientimi për rrugën drejt Europës, duhet të jetë zbatimi dhe respektimi i ligjit në vend. Nga ana tjetër deputeti demokrat flet edhe për rastet kur opozita shqiptare ka treguar se ka pasur tendencën që lëvizjen e lirë të shqiptarëve ta kushtëzojë dhe ta përdorë për interesa të ngushta politike.

Dje kaluan dy javë nga koha kur Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, gjatë një darke në Strasburg me krerët e KE-së dhe PE-së u zotuan se do të zgjidhin krizën politike në vend. çfarë pritet të ndodh tashmë që afati për zgjidhjen e situatës ka kaluar dhe palët nuk kanë ende një marrëveshje?

Mendoj se problemet janë në parim dhe janë të rëndësishme për ecurinë e vendit për marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës, për momentin në të cilin vendi është në procesin e integrimit, për objektivat e përfitimit të të gjithë popullit shqiptar, por edhe të vetë vendit. Në këtë kuptim unë nuk e do shihja zgjidhjen e problemeve që lidhen me ecurinë dhe me zhvillimin e Shqipërisë me një çështje orësh, ditësh. Nuk është rruga e ultimatumeve me afate ditore, rruga është për të vajtur aty ku Shqipëria ka nevojë të shkojë në përputhje me standardet e demokracisë si të gjitha vendet e tjera. Nuk mund të vazhdojmë me standarde “sui generis” me standarde të improvizuara nga nevoja politike të ditës, në tryeza politike të palëve. Por në kuadrin e një rendi kushtetues tashmë të vendosur në Shqipëri, të pushteteve të ndara, të të drejtave dhe detyrave që kanë institucionet, por edhe forcat politike brenda këtyre institucioneve, të interesave të qytetarëve fillimisht, por edhe sigurisht të interesave të grupeve të ndryshme politike. Marrëdhëniet për mendimin tim, janë çështje standardi, mendësish dhe gjithmonë do të gjykoja që busulla e orientimit për secilin të jetë demokracia e konsoliduar e BE-së, duke qenë se dhe ne atje po shkojmë. Ne nuk mund të kërkojmë deformime të tjera, të cilat nuk janë të dobishme për vendin.

Mendoni se mosarritja e kësaj marrëveshjeje mund të penalizojë Shqipërinë për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit të mëtejshëm në BE?

Nuk ka asnjë ndikim çështja e zgjidhjes së interesave të ndryshme që kanë palët politike me problemin e vizave. Liberalizimi i vizave është një çështje e ecurisë së këtij vendi dhe e objektivave që ka Shqipëria për qytetarët e saj prej shumë kohësh, kështu që jemi në momentin e finalizimit. është e sigurt që shqiptarët do të marrin të drejtën të lëvizin lirisht në BE, sepse Shqipëria i ka plotësuar të gjitha ato kushte që janë të njëjta për të gjitha vendet të cilat aspirojnë ta kenë këtë të drejtë. Procesi është në axhendën e institucioneve europiane dhe nuk ka kushtëzime politike, nuk është mirë që të krijohen me pahir kushtëzime politike dhe aq më tepër të nxitur nga shqiptarët, sepse është në dëm të tyre. Opozita nuk duhet të shfrytëzojë përfitimin e qytetarëve shqiptarë nga regjimi i udhëtimit pa viza, me kushte politike që i interesojnë opozitës dhe me presione të krijuar enkas për pengimin e këtij procesi për të favorizuar realizimin e objektiva të PS-së. Absolutisht jo, sepse kjo është dëmprurëse për vetë opozitën, për vendin dhe qytetarët, sepse për të udhëtuar pa viza janë të interesuar njëlloj të majtët dhe të djathtët. Instrumentalizimi dhe përdorimi i këtij procesi për interesa të momentit të PS-së është e gabuar dhe është përdorur deri tani, por nuk është mirë të përdoret më tej. Kjo nuk mund të shpëlahet me një deklaratë apo letër që mund të bëjë kryetari i PS-së, për mbështetjet në parim për vizat, sepse në këtë rast kjo është demagogji e thjeshtë, në qoftë se me qëndrimet kontribuon që ti të ngadalësosh këtë proces.

Ku bazoheni ju kur thoni se opozita ka ndikuar negativisht në procesin e liberalizimit të vizave?

Ka element që tregojnë se opozita është përpjekur ta përdorë çështjen e vizave si presion për të arritur objektivat e saj politike. Këtu mund të përmendim rastin kur ne shkuam në fillim të majit në Bruksel me objektin për të bërë presion që vizat t’i marrin brenda korrikut siç thotë rezoluta e KE-së e miratuar nëntorin e shkuar. Deputetët e mazhorancës në të gjitha diskutimet e tyre i mëshonin këtij aspekti, që Shqipëria i ka realizuar kriteret dhe prandaj duhet t’i marrë vizat brenda korrikut dhe në mbështetje të këtij qëndrimi ishte edhe eurodeputetët si të krahut të majtë dhe të djathtë. Mbi këtë sens kishim qëllimin t’i përfshinin këto qëndrime në këtë deklaratë. Por deputetët e opozitës në këtë takim nuk lanë element pa përdorur për të nxirë situatën në Shqipëri. Pra t’i shkon atje për të akorduar një element që ta kanë premtuar dhe dalin vetë shqiptarët dhe thonë që Shqipëria është keq me trafiqet, kartat e identitetit nuk janë të rregullta dhe kështu me radhë. Nëse t’i shkon me luftën politike të brendshme dhe e çon edhe në Bruksel në një moment të gabuar kur kërkohet presion pozitiv për vizat kjo është e pakuptimtë. Më pas u kërkua nga deputetët shqiptarë që në deklaratën e përbashkët të futeshin elemente të politikës së brendshme të Shqipërisë. P.sh. si do të zgjidheshin gjyqtarët, si do të ngrihet komisioni hetimor, element, të cilët s’kishin të bënin fare me takimin dhe me objektivat që kishim. Ky u bë shkas që ne të detyroheshim të mos futeshim në një deklaratë me këtë çështje dhe nga mbledhja u dol fare pa deklaratë. Këtu në këtë rast asnjë palë nuk fitoi, por ata që humbën aty ishin shqiptarët. Nga ana tjetër, gjatë shpërndarjes së kartave të identitetit nga qeveria shqiptare, të cilat ishin edhe një kërkesë kryesore e KE-së për liberalizimin e vizave, opozita për muaj të tërë thërriste pse duhet të bëhen kartat, pse duhet të shpërndahen me para etj. Në vend që përfaqësuesit e opozitës të bënin thirrje për shpërndarjen e tyre, me thirrjet e tyre bënë që procesi të shtrihej më shumë në kohë. Por edhe pasi mbaroi ky proces, kryetari i grupit parlamentar të opozitës vjen dhe i tregon popullit nga foltorja e Kuvendit, se këto karta që u bënë janë false. Po kështu, greva e urisë u zhvillua në ditët që ne ishim në Bruksel. Ne pamë çadra përpara Kryeministrisë, kur fare mirë greva e opozitës mund të ishte zhvilluar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ishte institucioni që kishte administruar zgjedhjet. Të gjitha këto veprime janë kundër produktive dhe nuk kanë ndikuar pozitivisht në këtë proces.

Në debatin e fundit parlamentar, deputetët e opozitës protestuan për sa i përket mënyrës sesi po trajtohet nga administrata e Kuvendit, paga e tyre mujore. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje, nisur edhe nga fakti se keni qenë ish-nënkryetar i Kuvendit?

Për mua është normale që deputetët, të opozitës apo mazhorancës të diskutojnë në Kuvend për sa i përket vetërregullimit të Parlamentit. Po kështu, mendoj që është e nevojshme që edhe Parlamenti shqiptar të mbajë standardet e modeleve perëndimore. Pra duhet hequr nga koka ideja se ti mund të rrish në shtëpi, të mos bësh punë dhe të marrësh para. Nëse ti shkon me mendjen se për gjashtë muaj ti nuk punon dhe të vjen paraja në shtëpi, duhet të dihet se kjo nuk ndodh në asnjë vend. Deputeti ashtu si edhe administrata e një vendi është pjesë e buxhetorëve dhe për të ardhurat që merr ka disa detyrime, si pjesëmarrja në seancë, në komisione, takime me elektoratin etj. Heqja e të ardhura në rast mospjesëmarrjeje në këto aktivitete ndodh edhe në vendet e tjera demokratike. Askush nuk duhet të përfitoj nga fakti se është deputet dhe politikan dhe Parlamenti shqiptar duhet të disiplinohet ashtu siç ndodh në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›